17 dhjetor 2009

Xhaferi te Jaro

Mesfushori i KEK-ut, Ymer Xhaferi ka vendosur që t’i rikthehet futbollit finlandez. Ish-anëtari i Trepçës karrierën do ta vazhdojë te skuadra FF Jaro, që garon në elitën e futbollit finlandez.

Menaxheri i futbollistit, Shukri Asllani, ka bërë të ditur se anëtari i përfaqësueses së Kosovës me klubin finlandez ka nënshkruar kontratë njëvjeçare derisa ekipit të ri pritet t’i bashkohet në fillim të vitit të ri, 2010.

“Ymer Xhaferi ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me klubin finlandez të futbollit, FF Jaro, që bën gara në ligën më të lartë të këtij shteti, Veikkausliiga”, ka thënë Asllani për G.J, të mërkurën.

Për mesfushorin 24-vjeçar, futbolli finlandez nuk është i panjohur. Ai në vitin 2007 ishte pjesë e skuadrës AC Oulu, ku nuk qëndroi gjatë, ndërsa një vit më vonë u transferuar te klubi tjetër finlandez, PK 35.

Pas aventurës në Finlandë, Xhaferi u rikthye në futbollin kosovar, ku firmosi për një vit me KEK-un, me të cilën skuadër pati paraqitje mjaft të mira. Por oferta e ardhur nga shteti skandinav, e ka shtyrë mitrovicasin që të shkëputë kontratën me elektricistët.

“Në krahasim me herën e fundit që isha në Finlandë, tash jam më i pjekur në aspektin profesional. Trajneri i Jaros, Alexei Eremenko me ka premtuar se do të luaj dhe pasi m’i kanë plotësuar kushtet, kam firmosur kontratën”, thotë Xhaferi.

Skuadra e Jaros, sezonin 2009 në elitën e futbollit finlandez e ka përfunduar në vendin e 10. Sipas Xhaferit, synimi i klubit të ri, edhe për sezonin 2010, është mesi i tabelës.

Ish-mesfushorit të Trepçës ’89, thotë se futbollin finlandez, respektivisht skuadrën e Jaros e sheh si një rrugë kalimi për transferim te ndonjë klub më i madh.

Eremenko lavdëron Xhaferin

Në anën tjetër, trajneri i FF Jaro, Alexei Eremenko ka njohuri për mesfushorin mitrovicas që nga viti 2007.

"Kur Xhaferi ishte këtu në vitin 2007, ishte e qartë se është një futbollist inteligjent. Ai e kupton dhe e lexon mirë lojën, ndërsa ka një këmbë të majtë shumë të mirë", tha Eremenko, për ueb faqen zyrtare të klubit (www.ffjaro.fi).

Trajneri me prejardhje nga Rusia shpreson që kosovari t’i sjellë shpejtësi dhe kreativitet ekipit të tij.

"Ai është një futbollist i shkathët që mund të luajë me 1-2 prekje të topit. Xhaferi gjithashtu angazhohet shumë, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Ne po kërkonim pikërisht një futbollist të tillë, që merr edhe përgjegjësi", përfundoi Eremenko.