08 dhjetor 2009

Vuçiniç: Lacio ka luajtur më mirë, por…

Fitorja e Romës në derbin kundër Lacios ka qenë e rëndësishme për renditjen e verdhekuqve, por nuk ka ardhur si rrjedhojë e lojës së bukur. Sulmuesi verdhekuq Mirko Vuçiniç ka thënë: “Lacio ka luajtur më mirë se ne, por e rëndësishme ishte të fitonim. Përsa më takon mua, kam luajtur keq, edhe pse më pas kam dhënë pasimin fitues për golin e Kasetit.
Dhe fakti që ka shënuar ai, që nuk realizon shpesh, pikërisht kur nuk kemi zhvilluar një ndeshje të madhe, është një gjë që na bën akoma më të lumtur. Kjo fitore na ka çuar më afër vendit të katërt, por duhet të qëndrojmë të qetë”. Kapiteni i Romës, Françesko Toti, ka shprehur të gjithë gëzimin e tij për fitoren kundër bardhekaltërve. “Ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme, pavarësisht nga loja e bukur, por ajo që ka rëndësi është fitorja, që ne e kemi marrë. Dua t’i bëj komplimenta të gjithë skuadrës, duke përfshirë edhe ata që nuk kanë luajtur. Kaseti? Këtë gol e meritonte si lojtar dhe si njeri”, ka thënë kapiteni verdhekuq.