E ardhmja e Migen Memellit, golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar me bluzën e Tiranës, i cili në këtë pjesë të parë të edicionit 2009-2010 nuk ka shkëlqyer, duket ende në udhëkryq. Këtë e konfirmon fakti se, edhe pse ka arritur një marrëveshje në parim me presidentin e klubit bardheblu, Refik Halili, sulmuesi pogradecar vazhdon të zhvillojë tratativa me skuadra të tjera brenda dhe jashtë kampionatit shqiptar. Lajmi u bë i njohur nga burime pranë klubit të Vllaznisë, i cili thekson se Memelli dhe drejtuesit kuqeblu janë në bisedime për një transferim të mundshëm të sulmuesit në Shkodër, gjatë merkatos së dimrit. Kjo pistë përforcohet edhe nga fakti tjetër se, marrëveshja me Halilin, por së cilës për momentin i mungon firma për ta legjitimuar, është parë me skepticizëm nga vetë protagonisti Memelli.