18 dhjetor 2009

Van Gaalit i rritet apetiti në Bayern

Trajneri i Bayern Munichut, Louis van Gaal, është më tepër se i lumtur me ambientin e ri në klub. Strategu me përvojë gjatë verës së kaluar u largua nga kampioni i Holandës, AZ Alkmaar për të filluar një aventurë me Bayern Munichun dhe nuk pendohet për vendimin e tij.
“Më pëlqen kultura lokale. Po ashtu si i pasionuar ndaj ushqimit, kurrë nuk kam ngrënë më tepër sesa në Gjermani. Vërtet gjithçka është shumë mirë”, tha Van Gaal gjatë një takimi me tifozët e klubit. Van Gaal ishte i kritikuar ashpër deri muajin e kaluar për startin e dobët të sezonit, mirëpo ekipi ka rikthyer shkëlqimin në periudhën e fundit.
“E kam ditur se mund ta bëjmë. Jam trajner i cili ka filozofinë e vet. Filozofia duhet të absorbohet dhe kërkon kohë. Është proces”, u shpreh ai. Bayern është ngjitur në pozitën e tretë në Bundesligë pas fillimit dëshpërues të sezonit. Po ashtu, gjiganti bavarez është kualifikuar për në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.