07 dhjetor 2009

Toni: E sigurt, kthehem në Itali

Bomberi italian i Bajernit të Mynihut, Luka Toni, deklaroi se nuk dëshiron të qëndrojë më në kampionatin gjerman.“Ende nuk e di se në cilin klub do të luaj, por e sigurt është që do të kthehem në Itali. Më mungojnë tifozët, miqtë, familja”. Këto janë fjalët e Luka Tonit. Sulmuesi italian prej kohësh nuk i ka aspak të mira marrëdhëniet me trajnerin Luis Van Gal.
Në një intervistë për të përjavshmen italiane “Chi”, Toni ka shprehur përfundimisht dëshirën për t’u rikthyer në Serinë A. Trajneri hollandez i Bajernit nuk e ka grumbulluar bomberin për sfidën kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve.
“Në Gjermani kam bërë shumë gabime, për të cilat pendohem. Ndoshta këto gabime do të më kushtojnë grumbullimin në Kombëtare për Kampionatin Botëror, megjithëse e pres një ftesë nga Lipi. Kam dëshirë të madhe për të luajtur ende. Do të ndaloj vetëm kur të mos ndiej më emocione. Nuk është ky momenti i duhur”, theksoi ish-sulmuesi i Fiorentinës.