23 dhjetor 2009

Tirana, “ashensori” në ngjitje, barazon Apolonia dhe Vllaznia

Janë luajtur 3 ndeshjet e para të javës së 17-të të kampionatit të 71-të kombëtar të futbollit, superliga, turi i fundit për këtë vit. Kështu, të mërkurën ka luajtur Kastrioti me Tiranën, Apolonia me Skënderbeun dhe Vllaznia me Flamurtarin. Rezultatet e të cilave ishin vërtet surprizë, pasi nuk ka fituar dot asnjëra nga skuadrat vendase. Janë fiksuar dy barazime, në Fier dhe Shkodër, ndërkohë që kampionët në fuqi kanë triumfuar në Krujë, falë golit të të riut Hajdari, i cili ishte protagonist edhe në ndeshjen paraardhëse të bardhebluve, në fitoren 4-1 ndaj Apolonisë. Sikurse duket, më e fituara ka qenë Tirana, e cila përkohësisht, deri në zhvillimin nesër të ndeshjes së Besës, ndaj Gramozit në Kavajë, ka marrë vendin e dytë. Me këtë ritëm në dy javët e fundit, Tirana duket si një “ashensor” në ngjitje, duke u bërë kërcënim serioz edhe për Dinamon kryesuese, pavarësisht se diferenca është e ndjeshme. Fitorja në një transfertë të vështirë, si ajo e Krujës, ku Kastrioti vendas nuk fal kollaj, tregon se Tirana e ka rigjetur veten vërtet, me lojë dhe rezultat, duke e tejkaluar atë krizë.
Në Fier, Apolonia nuk ka shkuar dot më tej se një barazim 1-1 ndaj Skënderbeut. Skuadra korcare duket se është një “mace e zezë” për fierakët, sepse vetëm dy javë më parë i eliminoi nga Kupa e Shqipërisë, qysh në 1/16 finale. Golit të Haxhibulic, për Apoloninë, shënuar në fundin e pjesës së parë, i është kundërpërgjigjur Bledi Shkëmbi, që ka barazuar në minutën e 58-të, me anë të një penalltie. Pra, kjo ndeshje, përvec barazpeshës në rezultat, ka prodhuar edhe gola kapitenësh, por u ka shërbyer fare pak skuadrave për planet e tyre, natyrshëm edhe për renditjen. Kuptohet, pikë me vlera mund të konsiderohet për Skënderbeun, pasi luante në transfertë, ndaj një skuadrë të fortë dhe plot ambicie, ndërkohë që Apolonia duket në një rënie të lirë. Pas humbjes së thellë 4-1 në Tiranë, javën e shkuar, nuk shkon më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi, me Skënderbeun.
Barazim dramatik ka marrë Vllaznia, në “Loro Borici”, në ndeshjen me Flamurtarin e Vlorës. Miqtë mund edhe të kishin fituar, nëse do të kishin edhe pak fat me vete, ndërkohë që Vllaznia e lë sërish veten të kundrohet e përfshirë në krizën e këtij edicioni. Kuqeblutë nuk kanë arritur dot ta shfrytëzojnë maksimalisht kalendarin, që u dhuronte dy ndeshje radhazi në shtëpi, në këtë fundviti. Kanë mundur 2-1 Teutën, në javën e 16-të, ndërkohë që nuk kanë shkuar dot më larg se barazimi 2-2 ndaj Flamurtarit. Ky barazim tregon se skuadra vlonjate po i “braktis” humbjet, duke dhënë shpresa për tjetër fytyrë në vijim të garës. Katër pikë në dy ndeshje për Flamurtarin (fitore me Gramozin dhe barazim me Vllazninë) nuk janë pak, edhe pse nevojat e skuadrës vlonjate duken alarmante, sepse noton në ujërat e ftohta të fundit të klasifikimit. Merkatoja e janarit duket si shpëtimi i të dyja skuadrave, Vllaznisë dhe Flamurtarit, që kanë konsumuar një fazë të parë kampionati gati të mjerueshme, shumë larg emrit dhe mundësive reale të tyre.
Ndërkohë, nesër do të luhen edhe tri ndeshjet e tjera të javës së 17-të të superligës. Konkretisht, Besa do të presë në shtëpi Gramozin, Teuta do të sfidojë në Durrës Shkumbinin e Peqinit, ndërsa në “Qemal Stafa”, kryesuesja Dinamo do të presë Lacin.
Ndeshje interesante këto, pasi kryesuesit vijnë pas humbjes së parë në kampionat, 4-0 në Peqin, ndaj do të kërkojnë të bëjnë një autokritikë të fortë. Por, përballë do të kenë Lacin e suksesshëm këtë sezon, një skuadër kompakte, me një grup solid, që i ka nxjerrë probleme cdo kundërshtari. Pritet të shikohet se cdo të jetë në gjendje të bëjë në ndërkombëtarin tonë skuadra e drejtuar nga Stavri Nica.
Besa e pretendimeve të mëdha në këtë sezon duket në letër se ka një ndeshje të lehtë, me debutuesit kolonjarë. Por, nëse shikon se cfarë i bëri Tiranës kampione skuadra e Agim Canajt, dy javë më parë, brenda në kryeqytet, nuk ka vend për të fjetur mbi dafina. Shpëtim Duro duhet t’ua ketë bërë të qartë futbollistëve të tij se nuk ka kundërshtarë të lehtë në këtë kampionat, aq më tepër kur luhet në një stadium jashtë cdo standardi normal për futboll, sic është ai i Kavajës.
Teuta e Mirel Josës do të ketë si objektiv të sfidojë Shkumbinin e Peqinit, që vjen në këtë ndeshje me moral tepër të lartë, si skuadra e parë dhe e vetme që arriti të ndalë Dinamon, madje me rezultat të thellë, 4-0, javën e shkuar në Peqin. Duke llogaritur edhe trajnerin e ri, Përparim Daiu, Shkumbini premton surprizë në “Niko Dovana”. Por, që t’ia arrijë kësaj, duhet kaluar Teuta, që në shtëpi nuk fal kollaj.
Më poshtë, në mënyrë telegrafike, ja edhe pasqyra e plotë e javës së 17-të të superligës.

KATEGORIA SUPERIORE JAVA 17 (23.12.2009)

APOLONIA – SKENDERBEU 1-1
KASTRIOTI - TIRANA 0-1
VLLAZNIA - FLAMURTARI 2-2

(24.12.2009)

BESA - GRAMOZI
DINAMO - LACI
TEUTA - SHKUMBINI