25 dhjetor 2009

Të gjithë kërkojnë Kristian Ledezmën

Pasi është zgjidhur çështja Pandev, tani duhet kuptuar se cila do të jetë e ardhmja e Kristian Ledezmës. Fakti që edhe ai mund të lirohet me parametra zero ka shtuar interesimin e skuadrave të tjera. E kërkon gjysma e Europës dhe në Itali pretendentët janë Juventusi dhe Napoli. Lotito, i shqetësuar, është gati të dëgjojë ofertat: bardhezinjtë ofrojnë 4/5 milionë euro dhe një kundërofertë teknike, napoletanët presin një sinjal nga bardhekaltirt për të filluar negociatat. Fakti është se për të marrë vesh sesi do të përfundojë çështja midis Lacios dhe Ledezmës do të duhet të pritet të paktën deri në fundin e janarit dhe për këtë arsye Lotito do të kërkojë të negociojë me të gjithë blerësit e mundshëm para se të humbasë lojtarin dhe të ardhurat e mundshme që mund të vijnë nga shitja e tij siç ka ndodhur me Pandevin.
Kështu, kush ka nevojë për ta marrë menjëherë argjentinasin, ashtu si Juventusi që duhet të kërkojë të korrigjojë dështimin Melo dhe Napoli gjithmonë më i etur për Europë, nuk mund të kënaqet duke negociuar vetëm me stafin e lojtarit. Duke parë ofertat, ata që duken se i kanë idetë më të qarta janë bardhezinjtë. Ledezma ka qenë një alternativë që në merkaton e verës, por më pas nuk është bërë asgjë. Tani situata ka ndryshuar. Me një ofertë me parà në dorë, por edhe me një kundërofertë teknike: Molinaro ose bashkëpronësia e njërit midis Tiagos dhe Xhiovinkos. E rëndësishme është të lëvizet menjëherë, sepse edhe Napoli nxiton. Lotito dhe De Laurentis në ditët e fundit i kanë lëshuar njëri-tjetrit mesazhe mirëkuptimi. I pari është shprehur i gatshëm për të negociuar, i dyti ka konfirmuar interesimin e treguar në rastet e mëparshme. Pikërisht marrëdhëniet e mira midis dy presidentëve bëjnë që hipoteza për një marrëveshje të arritur vetëm me lojtarin të hidhet poshtë.