03 dhjetor 2009

Tardeli: Kampionët e Juves duhet të zgjohen

Marko Tardeli ka shkruar faqe të rëndësishme në historinë e Juventusit dhe e di mirë sesa mund të ndikojnë kampionët në momentet e vështira. Mesfushori, kampion bote në vitin 1982, ka folur për situatën e vështirë të ish-skuadrës së tij dhe për Juventus-Inter: “Skuadra e Hoze Mourinjos është e kompletuar dhe më kompetitive. Por sfida mbetet e hapur, edhe Juventusi ka kampionë që nëse do të kujtohen se janë të tillë, mund të jenë një vlerë e shtuar për skuadrën. Të shtunën pres të shikoj një ndeshje të bukur”, ka thënë Taredeli.

Ndërkohë, nga Afrika e Jugut, në ditët që paraprijnë shortin e Botërorit 2010, nuk ka munguar edhe një batutë e Mishel Platinisë. Presidenti i UEFA-s dhe ish-lojtar i bardhezinjve ka dashur të dalë në krah të trajnerit juventin: “Flitet se Ferrara rrezikon? Vetëm sespe ka humbur një ndeshje? Nuk besoj. Flas shpesh me Blankun, por kohët e fundit nuk kemi diskutuar për Juventusin”, ka thënë Platini.