02 dhjetor 2009

Sytë në Afrikë

Të mërkurën dhe të enjten në qytetin Cape Town të Afrikës së Jugut do të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.
Përpos disa çështjeve të rëndësishme botërore, në këtë mbledhje Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s pritet të diskutojë edhe rreth futbollit të Kosovës. Së paku kështu kanë premtuar zyrtarët më të lartë të FIFA-s gjatë dy takimeve të tyre në muajit nëntor me drejtuesit e futbollit kosovar.
Bazuar në këtë fakt, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, është optimist se Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do t’i shqyrtojë kërkesat, të cilat kosovarët ia patën parashtruar numrit një të FIFA-s, Sepp Blatterit.
“Gjatë kësaj mbledhjeje urgjente të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s sigurisht që do të shqyrtohen edhe kërkesat tona”, deklaroi Salihu për Express.
“Kërkesat tona duhen shqyrtuar sepse ne jemi ftuar për takime nga vetë drejtuesit e FIFA-s dhe ata vetë na kanë premtuar se kërkesat tona do të shqyrtohen. Pra, ekziston një vullnet dhe i mirë tek ata karshi futbollit kosovar. Nuk e di se a do të shqyrtohen kërkesat tona në ditën e parë të mbledhjes apo të dytën”, theksoi ai.
Gjatë takimit të parë me presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, pala kosovare i pat parashtruar një varg kërkesash. Por, Salihu beson se së paku dy nga to do të shqyrtohen në këtë mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.
“Nuk kemi marrë ndonjë shkresë nga FIFA. Por, besoj se kërkesa për transferime të futbollistëve dhe ajo për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore të përfaqësueses do të shqyrtohen në këtë mbledhje”, tha ai.
Krerët e FFK-së patën kërkuar nga FIFA pranimin e plotë të Kosovës në këtë asociacion dhe në UEFA.
Po ashtu, delegacioni kosovar pat kërkuar që deri në pranimin e plotë të Kosovës në FIFA, klubet kosovare të jenë pjesëmarrëse në garat evropiane sikurse edhe përfaqësueses së Kosovës t’i lejohet të zhvillojë ndeshje miqësore me reprezentacionet e huaja.
Kërkesa tjetër e udhëheqësve të futbollit kosovar ka qenë ajo që klubet e huaja t’u paguajnë dëmshpërblim ekipeve kosovare, në rast se përforcohen me ndonjë futbollist nga Kosova