24 dhjetor 2009

Speciale - Futbolli italian në dekadën e fundit

Dhjetë momentet më kryesore që spikatën në futbollin italian dekadën e fundit:

10. (2009) - Plani për stadiumet.

Një nga kritikat më të ashpra që futbolli italan ka marrë gjatë këtyre dhjetë viteve, është paaftësia për t’u përshtatur me pjesën tjetër të futbollit europian. Sidomos prirjes europiane për të ndërtuar stadiume të rehatshëm, familiarë, të ngrohtë dhe miqësorë për tifozët dhe mbi të gjitha të mëvetësishëm, Italia nuk ka ditur t’i përgjigjet. Prandaj, vendimet e Juventusit, Fiorentinës, Romës dhe ndoshta Interit për të ndërtuar stadiume të rinj, mund të shihen si një shenjë optimizmi. Në të ardhmen ky mund të bëhet një fenomen mjaft i përhapur në futbollin italian, megjithatë, duhet të presim vitin 2019 për të parë.

9. (2006) - Fabio Kanavaro fiton “Topin e Artë”

Pas paraqitjeve të shkëlqyera që ndihmuan Italinë të fitojë Kupën e Botës në Gjermani në vitin 2006, Fabio Kanavaro me të drejtë u shpall fitues i “Topit të Artë”. Mbrojtësi i fundit që e kishte fituar këtë trofe ishte Franc Bekenbauer në vitin 1976. Gjithashtu, Kanavaro është lojtari i parë italian që e merr këtë çmim, pas Roberto Baxhos, i cili e fitoi në vitin 1993.

8. (2003) - Finalja e Championsit, e gjitha italiane

Edhe pse nuk ishte një ndeshje spektakolare, përballja e dy ekipeve italiane me më shumë trofe në finalen e “Old Trafordit” në vitin 2003, ishte një kënaqësi për të gjithë tifozët e futbollit italian. Arritja e vërtetë për këto dy klube ishte eliminimi i “gjigandëve” në fazat e mëparshme. Juventusi la jashtë Barcelonën dhe Realin e Madridit, ndërkohë që Milani u rendit i pari në grupin ku bënte pjesë Reali dhe Borusia e Dortmundit dhe në gjysmëfinale eliminoi Interin.

7. (2004 & 2007) - Rikthimi i Fiorentinës dhe Napolit

Pas falimentimit përkatësisht në vitin 2002 dhe 2004, Fiorentina dhe Napoli u ringjitën në Serinë A, aty ku gjthmonë kishin qenë në vendet më të larta të renditjes. Historia e këtyre klubeve është e lidhur me kulturën e ngritjes dhe rrëzimit të disa klubeve italiane gjatë viteve ’90, të cilat ishin të detyruara të paguanin për spekullimet me shifrat e parave. Tashmë ata janë përsëri në nivelet e larta të futbollit në Itali dhe jo vetëm.

6. (2000 & 2001) - Titujt kampion njëri pas tjerit për skuadrat kryeqytetase

Për Lacion ishte titulli i parë pas 26 vitesh, i cili menjëherë më pas u ndoq nga Roma, që e ngrinte kupën e Serisë A pas 18 vjetësh “agjërimi”. Megjithëse të dy klubet prej asaj kohe kanë pasur probleme të vazhdueshme financiare, suksesi i dyfishtë i Romës dhe i Lacios çoi në një “ringjallje” të futbollit jugor në Itali. Sot kjo është bërë më e dukshme me praninë e Barit, Napolit, Palermos apo Katanias, të cilët përfaqësojnë ato rajone të harruara të gadishullit.

5. (2008) - Ndeshja e 1000-të e Paolo Maldinit

Megjithëse si zëvendësues në një ndeshje të zakonshme të Serisë A ndaj Parmës në transfertë, 16 shkurti i vitit 2008 do të mbahet mend për ndeshjen e 1000-të të Paolo Maldinit si profesionist, më tepër se 23 vite pas debutimit. Kapiteni legjendar ia kushtoi gjithë karrierën e vet Milanit, me të cilin fitoi gjithsej 27 tituj. Megjithatë, ai nuk arriti të fitojë asnjë trofe me kombëtaren, edhe pse fitoi 126 ndeshje, derisa zhveshi përfundimisht fanellën azurre në vitin 2002.

4. (2000) - Françesko Toldo sfidon Hollandën

Amsterdam 2000. Është momenti i Françesko Toldos. Përveçse prtit dy penallti, portieri italian bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në gjysmëfinalen e Kampionatit Eoropian ndaj Hollandës, të cilën Italia e mundi 3-1 me penallti (për të shkuar në finale, ku u mposht 2-1 nga Franca në kohën shtesë). E paharrueshme është pritja e penalltisë së Pol Bosvelt.

3. (2007) - “Hakmarrja” e Milanit

Pas turpërimit në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2005, kur kryesonte me tre gola avantazh ndaj Liverpulit, dy vjet më vonë, kuqezinjtë realizuan “hakmarrjen” e shumëpritur në Athinë. Në një periudhë kur futbolli italian dukej i zhytur në krizë, dy golat e Inzagit i dhanë titullin e shtatë europian Milanit.

2. (2006) - Fabio Groso si Tardeli

“Gjermanët nuk i humbasin penalltitë”. Ky ishte mendimi që qarkullonte në mendjen e tifozëve italianë dhe i bënte ata pesimistë mbi mundësitë e Italisë për të vzhduar më tej në Kupën e Botës, kur kishin mbetur vetëm dy minuta nga përfundimi i kohës shtesë në gjysmëfinalen përballë Gjermanisë. Por një pasim i Andrea Pirlos nxjerr të lirë Fabio Groson dhe anësori që në atë kohë luante me Palermon, lëshon një të majtë të fuqishme, duke mposhtur portierin Jens Lehman. Mënyra e festimit të Grosos nuk ishte parë prej 24 vitesh...

1. (2006) - Lavdia e Kupës së Botës

Triumfi i papritur në Berlin i bëri italianët “mbretër” të botës për të katërtën herë në histori, duke mbetur vetëm një trofe pas Brazilit, që ka fituar pesë Kampionate Botërorë. Në një kohë kur kujtmet e skandalit të “Kalçopolit” ende nuk ishin shuar, djemtë e Marçelo Lipit treguan një mentalitet fitues që nuk ishte parë prej vitit 1982. Triumfi i italianëve u vu në dyshim nga disa momente të veçanta, duke përfshirë barazimin 1-1 ndaj SHBA-ve, ku gjyqtari u detyrua të nxjerrë tre kartonë të kuq, penalltia e dyshimtë e Françesko Totit që i dha fitoren Italisë përballë Australisë dhe goditja me kokë e Zidanit ndaj Materacit në finale. Megjithatë, këto episode ia vlejtën për fitoren historike në Berlin.