14 dhjetor 2009

Spaleti: Te Zeniti nuk shkova për parà

Italiani është prezantuar dje në Shën Petërsburg si trajneri i ri i skuadrës ruse
Luçiano Spaleti ka mbërritur në Shën Petërsburg dhe ka dhënë deklaratat e para si trajner i skuadrës së Zenitit. Ish-trajneri i Romës mezi pret të rifillojë punën si trajner. “Nuk do të doja të kisha dalë në pension kurrë, pasi emocionet që provoj kur drejtoj një skuadër janë të mëdha.
Kjo është ajo që di të bëj dhe dua ta bëj, nuk kam dëshira të tjera. Pse Zeniti? Sepse u interesua për mua dhe më ka dhënë mundësinë që të vlerësoj me qetësi propozimin e tyre dhe ta njoh paraprakisht ambientin dhe strukturën e klubit. Kam takuar drejtues të rinj, profesionistë dhe të gatshëm për bashkëpunim. Këto janë aspekte të rëndësishme për një zgjedhje të këtij lloji”, ka deklaruar Spaleti. Në gazeta është hedhur edhe ideja se ai e ka zgjedhur kampionatin rus për shkak të rrogës së madhe. Megjithatë ata që e thonë këtë janë të paktë.
“Edhe te Roma më kanë përmendur përherë faktet financiare. Por realiteti thotë se unë i kam lënë paratë në tavolinën e Trigorias dhe nuk besoj se kjo gjë ndodh shpesh”, ka reaguar Spaleti. Ai ka shtuar se “oferta financiare është e rëndësishme, por jo më e rëndësishmja. Do të shkoj në Shën Pjetërburg me familjen time dhe do të jetojmë atje. Eshtë një qytet i bukur dhe skuadra është e shkëlqyer. Nuk do të shkoj me mision për të realizuar kontratën më të mirë financiare, por për të punuar sa më mirë për klubin dhe për të bërë sa më shpejt një projekt ambicioz që do ta çojë klubin rus në vendin që i takon në kampionat dhe në Kupat e Evropës. Për të arritur këtë gjë duhen krijuar kushtet ideale edhe në aspektin personal.
Unë pastaj kam nevojë edhe për familjen time. Tamara dhe fëmijët e kanë pranuar menjëherë idenë që të shkojmë në Rusi.” Thuhet se nëse do të kishte pritur edhe pak, mund të ishte ulur në bankinën e Milanit, Juventusit dhe Realit, e ndoshta edhe përfaqësueses italiane. “Në mesin e objektivave të mi ishte edhe një punë jashtë vendit, që t’i jepte më shumë vlera punës që kam bërë tërë këto vite. Do të gjej mënyrën që të jem më i lidhur me skuadrën dhe stadiumin. Do të marr me vete edhe anët më të mira pozitive të futbollit italian. Pasioni i njeriut është i papërshkrueshëm; nëse arrij t’ia dal mbanë, do të jetë arritje e madhe në jetën profesionale”.