16 dhjetor 2009

Shpreson në Kombëtare

Blerim Xhemajli shpreson që të rikthehet në Kombëtaren A të Zvicrës, për të qenë më pas pjesë e Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Gjatë verës që shkoi, futbollisti shqiptar kishte probleme rreth kontratës dhe së ardhmes së tij. Ai frikësohej se nëse do të qëndronte tek Torino në Serie B italiane, do ta humbiste shansin për Botëror, kështu që iu bashkua Parmës, e cila bleu gjysmën e kartonit të tij.
23 vjeçari nuk është dëgjuar fare me selektorin Ottmar Hitzfeld që nga muaji gusht, por ai beson se paraqitjet e mira me Parmën, mund ta rikthejnë tek Helvetikët. “Nëse vazhdoj kështu me Parmën, shpresoj që ta kem rastin edhe në Kombëtare”, u shpreh ai.
Më pas, Xhemajli ka shtuar se ndihet shumë mirë tek Parma, e cila po e shijon pozitën e katërt në Serie A. Ai po kënaqet në qytetin e Parmës, ku bashkëjeton me të dashurën e tij, në periferi të qytetit.
Xhemajli luajti 79 minuta, në fitoren ndaj Bolognas me rezultat 2:1. Futbollisti nga Tetova e pati paraqitjen e tij të 11-të si titullar këtë sezon, qysh kur kishte arritur nga Torino, në fund muajin gusht.
Parma shpenzoi 4.5 milionë euro për gjysmën e kartonit të futbollistit. Në fund të sezonit do të shihet nëse klubi parmalat do të jetë i gatshëm dhe i interesuar t’i shpenzojë edhe 4.5 milionë të tjerë për gjysmën tjetër të kartonit, për ta blerë përfundimisht futbollistin.
“9 milionë euro – kjo është një shumë e madhe parash”, ka thënë Xhemajli, i cili po mundohet t’i arsyetojë paratë e dhëna për të. Ai ndihet nën presion, por ai gjithashtu mendon se puna e tij me vlera, i ka dhënë kontribut të madh që të arrijë suksese.
Ajo që i mungon atij është goli i parë. Me trajnerin Francesco Guidolin, i cili e përkrah gjithnjë, mesfushori shqiptar do ta kërkojë deri në fund golin. Loja e tij moderne, fizike dhe agresive, Xhemajli e ka impresionuar trajnerin 54 vjeç, Guidolin.