22 dhjetor 2009

Shkarkimi që kushton shtrenjtë

Spekulime të shumta qarkullojnë rreth të ardhmes së menaxherit të Liverpoolit, Rafa Benitez, pas humbjes turpëruese nga Portsmouth (ekipi nga pozita e fundit në Premierligë).
Mirëpo, strategu spanjoll nuk do të shkarkohet gjatë këtij sezoni. Benitez deri më tani ka refuzuar të flasë rreth shkarkimit eventual, mirëpo burime brenda klubit i kanë thënë portalit Sportspromedia.com se ai nuk do të lirohet nga detyra për shkak të dëmshpërblimit të lartë në kontratën e tij. Pse ? Benitez ka kontratë me vlerë prej 4.5 milionë funta në vit, të cilën e ka nënshkruar në mars 2009 dhe vlen për tri sezone.
Kjo do të thotë se në rast të shkarkimit, klubi duhet t’i paguajë Benitezit dhe stafit teknik të tij rreth 20 milionë funta. Problem i madh financiar dhe vendim që përcillet me sakrificë të madhe ekonomike, gjë të cilën klubi në këtë periudhë nuk është në gjendje ta bëjë. Liverpool është eliminuar nga Liga e Kampionëve, ndërsa në fundjavë ka pësuar humbjen e tetë gjatë këtij sezoni në Premierligë dhe gjendet në pozitën e tetë në tabelë, me 14 pikë më pak se kryesuesi Chelsea.