16 dhjetor 2009

SERIA A: Lodhja psiko-fizike përshkoi javën e 16-të

Lodhja psiko‑fizike e skuadrave pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve, javën që kaloi, dhe koha e shkurtër në dispozicion për riaftësimin e riedukimin e formës së duhur sportive për ndeshjet e radhës, ishin dhe faktorët kryesorë që ndikuan në frenimin dhe ngadalësimin e kryesueseve, në javën e 16-të të kampionatit italian, Seria A. E para që zhgënjeu, si në lojë, ashtu dhe në rezultat, ishte Juventusi, që të shtunën në mbrëmje humbi 3‑1 ndaj Barit. Pas eliminimit nga Bajerni i Van Galit, të gjithë prisnin një reagim pozitiv të Juves në kampionat, siç kishin deklaruar në intervistat e tyre drejtuesit e klubit. Ndryshe nga premtimet ndodhi në fushën e blertë. Mungesa e ekuilibrit dhe e harmonisë mes reparteve të lojës ishte arsyeja e vërtetë që shoqëroi Juventusin në lënien e tri pikëve në Bari. Gjithashtu, 11-metërshi i humbur nga Diego flet qartë për mungesën e qetësisë dhe përqendrimit në garë nga titullarët e skuadrës. Nga sponda tjetër, merita qëndroi në aftësitë e lojtarëve të Venturës, që jo vetëm shfrytëzuan momentin e vështirë, që po përjeton skuadra e Ferrarës, por përsëritën lojën e bukur, të saktë dhe me intensitet të lartë, që e karakterizon në këto javët e fundit. Tre golat e bukur, të Megjorinos, Barretos dhe Almironit, janë shumë domethënës, ndaj atij të vetëm, të shënuar për Juventusin nga i veçanti Trezege.
Domethënës janë edhe dy golat e Mikolit dhe Breshanos, në fitoren e madhe 2‑0 të Palermos ndaj Milanit, në “San Siro”. Ishte fitorja e dytë e radhës për trajnerin e palermitanëve, Delio Rosi, i cili po i përcjell përherë e më shumë mentalitetin fitimtar skuadrës së vet. Sekreti i suksesit të Palermos në këtë ndeshje qëndroi në kontrollimin dhe kursimin e forcave gjatë pjesës së parë, me qëllimin që t’i shfrytëzonte ato, siç ndodhi, në pjesën e dytë të lojës, ku pritej që kuqezinjtë të lëshonin në rendimentin e lojës. Përvoja e Delio Rosit gjeti nga ana tjetër mungesën e eksperiencës së Leonardos, që ndikoi në administrimin e gabuar të forcave dhe intensitetit të garës për milanistët. Edhe pse e kishte fare të qartë që Milani, pas ndeshjes së vështirë për Kupën e Kampioneve, vinte të përballonte këtë takim jo në maksimum të energjive dhe formës sportive.
Mungesën e formës së përkryer sportive, që kishte demonstruar në Liverpul, e ndjeu në kampionat edhe Fiorentina e Xhilardinos, e cila humbi 2‑1 në Verona, ndaj Kievos së Bogdanit. Veronezët e përballuan me guxim Fiorentinën, duke shfaqur më shumë etje për fitore dhe agonizmin e vërtetë, në një sistem loje kompakte, ku të gjitha repartet ndihmoheshin mes tyre, si në fazën e posedimit të topit, ashtu dhe në atë të mosposedimit. Ishin golat e Pincit dhe Sardos ato që i dhuruan fitoren Kievos, ndaj atij të vetëm për Fiorentinën, i shënuar nga talenti Montolivo. Një gol të vetëm shënoi edhe Interi, me anë të Militos, në barazimin 1‑1 me Atalantën, në Bergamo. Kurioziteti i kësaj ndeshjeje ishte që trajnerët e të dyja skuadrave, Konte dhe Mourinjo, ishin të skualifikuar dhe, si rrjedhojë, të detyruar ta ndiqnin ndeshjen nga tribuna. Megjithatë, direktivat e tyre nuk munguan në lojë, e cila u karakterizua edhe nga një nervozizëm që i pengoi të dyja skuadrat në deduktimin me gjakftohtësi të aksioneve dhe rasteve për shënim. Ndërsa Tiriboki, me golin e tij, u dhuroi një pikë të çmuar bergamaskëve, interistët dalin të pakënaqur me barazimin e tyre, edhe pse ishin të vetmit nga katër skuadrat e Kupës së Kampioneve, që nuk humbën në kampionat. Frenimin e Juventusit, Milanit e Fiorentinës në tabelën e renditjes e shfrytëzoi fare mirë, për t’iu afruar atyre, Parma e freskët, e cila, me tri pikët e fituara këtë javë, meritoi e vetme vendin e katërt në klasifikim, duke bërë përherë e më realitet endrrat e tifozëve të saj. Fitorja 2‑1 ndaj Bolonjës, në Parma, u arrit përsëri përmes një loje të shkathët e të zgjuar, të ndërtuar mbi një sistem loje të dhëmbëzuar, ku repartet dhe lojtarët njihen e bashkëlidhen “symbyllur”, edhe për faktin që luajnë prej disa vitesh së bashku. Golat e shënuar nga “veteranët” Panuçi e Amoruso flasin edhe për përsosmërinë e gërshetimit mes brezit të vjetër dhe atij të ri. Goli i vetëm, i nderit për Bolonjën u shënua nga Mudingai. Një gol i vetëm, që jo vetëm i riktheu nderin Lacios, por edhe i dhuroi tri pikët e vlefshme për të dalë nga pozicioni i vështirë ku ndodhej në renditje, ishte edhe ai i Kolarovit, i vetmi në fitoren 1‑0 ndaj Xhenoas, në Romë. Kur të gjithë mendonin që barazimi i bardhë ishte dhe fati i ndeshjes, në fund të pjesës së dytë, pas një loje të ekuilibruar dhe me intensitet të lartë, të shfaqur nga të dyja skuadrat, lindi dhe goli surprizë i Kolarovit, që zgjoi tifozët lacialë dhe riktheu entuziazmin e humbur në këtë fazë të parë të kampionatit. Ndërsa njëra skuadër e Romës, ajo e Ballardinit, ndryshoi fatin e ndeshjes, skuadra tjetër, Roma e Ranierit, nuk arriti ta bënte në Xhenova, kundër Sampdories. Rezultati i bardhë 0‑0 ishte edhe më i drejti për këtë takim, ku të gjitha duelet dhe sfidat brenda ndeshjes, gjithashtu, përfunduan në barazim, që nga rrjedhja e lojës deri tek dyshja Kasano‑Toti. Në përfundim të ndeshjes, të dyja skuadrat dolën të fituara dhe të kënaqura, me pikë të barabarta, në vendin e pestë të renditjes. Një tjetër barazim në javën e 16-të të kampionatit italian, Seria A, u arrit edhe mes Kaljarit e Napolit, të shtunën pasdite. Me të vërtetë një ndeshje spektakolare, për t’u rishikuar. Barazimi 3‑3 flet qartë për lojën ofensive dhe agonizmin që demonstruan skuadrat në fushë. Interesante gjatë kësaj ndeshjeje ishte ndryshimi dhe përmbysja e rezultatit nga të dyja skuadrat, deri në barazimin final, të arritur nga Napoli në minutat shtesë. Themelore në pësimin e golave, karakteristikë për të dyja skuadrat, ishin mangësitë dhe gabimet e përsëritura në fazën difensive, gjatë krosimeve nga topat inertë. Golashënuesit e ndeshjes ishin Laveci, Pacienca e Boliaçino pë Napolin, dhe Larrivey, Matri e Gjeda pë Kaljarin. Si rrjedhojë nga një pikë për secilën nga skuadrat, që i mban njëra pranë tjetrës, edhe në tabelën e renditjes.
Njëra pranë tjetrës, por në fund të renditjes, ndodhen edhe Siena e Katania, të cilat e shohin përherë e më të vështirë dhe të komplikuar rrugën drejt shpëtimit nga rënia në Seria B. Ishte fati ai që i mungoi Mihajloviçit në ndeshjen e parë të tij, si trajner i Katanias, në humbjen 1‑0 ndaj Livornos së Kozmit. Pas një loje të kontrolluar nga Katania dhe disa rasteve të saj, për shënim, në fund të ndeshjes, në të vetmen goditje në portë nga livornezët, ishte goli i Danileviçusit që i dhuroi fitoren Livornos, në fushën e Katanias. Ndryshe nga Katania, në fitoren e Sienës 2‑1 ndaj Udinezes, ishin futbollistët, të cilët me lojën e tyre kërkuan e besuan në fatin e fitores, për të gjithë ndeshjen. Pa dyshim, merita është edhe e trajnerit Malezani, i cili me përvojën e tij po i dhuron atë ekuilibër dhe identitet që i mungonte skuadrës së Sienës. Për t’u duartrokitur goli spektakolar i Makarones për Sienën. Dy golat e tjerë u shënuan nga Gezal për Sienën dhe D’Agostino për Udinezen.