08 dhjetor 2009

Seria A, “fajtore” për mungesën e talenteve

Raporti i porositur nga FIFA dhe i kryer nga “Rishikimi i Katërt i Futbollistëve Profesionistë” nga ana e Observatorit, e rendit Italinë në fundin e shteteve evropianë të futbollit të madh, sa i takon zhvillimit të talenteve kombëtarë. Atje si gjetje shkruhet se vetëm 12.8 % e futbollistëve erdhën në skuadrat e para nga sistemi i zhvillimit të të rinjve në Serinë A.
Klubi më i suksesshëm në këtë drejtim ishte Rexhina, me 19.2 % dhe ata një vit më parë zbritën në Serinë B (!). Pas Rexhinës në B, tashmë vijnë Juventusi (18.7%), Atalanta (18.4%), Roma (16.1%) dhe Milan (14%), me rezultate që janë në kundërshtim të dukshëm me finalistet e Ligës së Kampionëve vitin e shkuar, Barcelona dhe Mançester Junajtid. Dhe me të vërtetë, pavarësisht fondit të tyre blerës, si Barça ashtu edhe Junajtid, e kanë bazuar suksesin e tyre në zhvillimin e talenteve brenda klubeve përkatëse. Sipas Raportit të PFPO‑së, Atletik Bilbao, Nantë, Barcelona, Tuluzë dhe Espanjoli kishin 40 % dhe më shumë të futbollistëve të skuadrave të para të ardhur nga ekipet zinxhir të moshave. Klube të tjerë, që kanë përqindje përkatëse mbi mesataren janë Arsenali (39.6%), Real Madridi (37.3%), dhe Bajern Mynihu (28.9%).
Autoritetet italiane të sektorit të trajnimit të të rinjve e kanë ngritur këtë problem prej vitesh dhe tani falënderojnë FIFA‑n, që këtë problem e solli në vëmendjen e opinionit publik. Ish‑trajneri i Italisë për U‑19, Paolo Beretini, thotë: “Kjo nuk më erdhi si befasi, kur lexova studimin e FIFA‑s për Italinë. Kur isha trajner i moshave, deri në U‑21, më duhej të ndiqja zbulimin e talenteve në skuadrat e kampionatit të të rinjve, pasi këta të fundit nuk kishin mundësi të luanin në skuadrat e Serisë A.” Po cila do të ishte zgjidhja? “Kuotat nuk do të kishin kuptim dhe nuk do të sillnin aq shumë përmirësim, ‑ vazhdon Berretini.
‑ Ajo që me të vërtet kemi nevojë është një ndryshim rrënjësor i mendësisë të elitës tonë, ata duhet të kuptojnë se futbollistët tanë të rinj janë një resurs. Kur fitova Kampionatin Evropian me U‑19 (në 2003), zbulova Kielinin (Juventus), Pacinin (Sampi), Akuilanin (Liverpul) dhe Mantovanin (Kievo). Ata u lanë të lëngonin në skuadrat e tyre të të rinjve, pa pasur edhe një shans të luanin në skuadrat e Serisë A. Atëhere u thirrën në përfaqësuesen e moshës, luajtën mirë, fituan titullin evropian dhe shumë njerëz zbuluan se në Itali kishim disa futbollistë të talentuar. Sot ka shumë pak futbollistë të rinj në Serisë A; ndërkohë përfaqësueset tona të të rinjve nuk kanë fituar asgjë që nga skuadra ime e U‑19. Këtu shoh një lidhje logjike, apo jo”.