03 dhjetor 2009

Rugova: Në Prishtinë ata që e meritojnë

Kampioni aktual, skuadra e futbollit Prishtina gjendet në pushimin dimëror deri më 14 dhjetor. Përkundër se futbollistët janë në pushim të merituar, drejtori gjeneral i kësaj skuadre Edmond Rugova, së bashku me kryesinë vazhdojnë të punojnë më këmbëngulje për bërjen e një klubit modern ashtu si shumë klube të njohura me renome evropiane. Puna e palodhshme intensive e Rugovës veç ka dhënë rezultatet prej se është ardhur drejtor, duke e futur Prishtinën në binarët e rezultateve dhe mbajtur në hap në luftë për titullin e kampionit. Prishtina zë vendin e tetë me 23 pikë ose ka mbetur nëntë pikë me pak se kampioni vjeshtor, Trepça nga Mitrovica. “Jemi duke punuar intensivisht edhe që të bëjmë përforcime me futbollistë cilësorë, por tash për tash nuk ka asgjë konkrete. Planin e përforcimeve do ta zbatojmë në kohën e afatit kalimtar dimëror, megjithatë do t’i lirojmë edhe disa futbollistë, të cilët nuk e kanë dëshmuar veten gjatë stinorit vjeshtor”, tha Rugova. Drejtori gjeneral tha se Prishtina do të përgatitet për turneun ndërkombëtar që zhvillohet me 10 janar në Winterthur të Zvicrës. “Futbollistët i kemi dërguar në pushim deri më 14 dhjetor, pastaj vazhdojmë përgatitjet. Më 10 janar do të jemi në turneun e rëndësishëm ndërkombëtar në Winterthur të Zvicrës. Prishtina është fitues i këtij turneut dhe shkojmë më ambicie që ta mbrojmë titullin në këtë turne. Ky turne është një mundësi e mirë që futbollistët tanë të dëshmojnë vlerat e tyre që mund t’i bien në sy edhe disa menaxherëve të skuadrave të huaja. Shembulli më konkret është se nëpërmjet Prishtinës, Shqipëron Skeraj ka gjetur veten që të luajë në ligën e dytë gjermane, pastaj Visar Berisha në Zvicër, por edhe Isuf Llumnica. E kanë një rast të mirë futbollistë të dëshmojnë veten dhe sigurisht ndonjëri prej tyre të luajë edhe në ndonjë klub evropian”, theksoi ai. Rugova tha se punohet për shtigje afatgjata dhe të bëjnë një klub modern me përmasa evropiane. “Kur e kam marrë postin e drejtorit kam thënë se do të punoj për të bërë një Prishtinë ashtu si i ka hije, ta përgatisim për shtigje afatgjate dhe gjërat po realizohen hap pas hapit. Na pret edhe shumë punë për të bërë, por të gjithë së bashku do të bëjmë një klub të modelit evropian. Synimi ynë është të mbrojmë edhe titullin e Republikës së Kosovës njëherësh të dëshmojmë lojëra cilësore që t’i kënaqim edhe adhuruesit e futbollit”, tha Rugova. Futbollisti Mirsad Idrizi ka thënë ditë më parë se ka shumë oferta, por ka gjasa që t’i rikthehet KF Prishtinës. “Mirsad Idrizi mbetët i suspenduar dhe ai klub që kërkon shërbimet e tija duhet të drejtohet në KF Prishtina sepse ky futbollistë ka kontratë me këtë klub”, nënvizoi Rugova. Klubi më i trofejshëm se shpejti do të sjellë edhe ndonjë klub të madh nga Evropa në Prishtinë që të zhvillojë një ndeshje miqësore ndërkombëtare. “Jemi duke punuar në këtë drejtim, andajtë ardhmen do të bëjmë të ditur se cili klub i njohur do të vijë në Prishtinë që të luajë një ndeshje me karakter ndërkombëtar”, tha Rugova.