06 dhjetor 2009

Rooney synon trofeun

Wayne Rooney ka pranuar se triumfi në Kampionatin botëror do të ishte “ndjenjë e pabesueshme”, por ai insiston se nuk do të shkëmbente me asgjë medaljet e tij që i ka fituar në Manchester United. Anglia mori short të favorshëm për garën e verës së ardhshme, pasi gjendet në grupin C me SHBA-në, Algjerinë dhe Slloveninë.
Ata do të hyjnë në garë si njëri prej favoritëve dhe Rooney ka theksuar se është ëndërr jetësore të ngritë trofeun e Kampionatit botëror. Megjithatë, sulmuesi i kushton rëndësi të posaçme titujve që ka fituar me Manchester United dhe insiston se asgjë nuk mund t’i zëvendësojë ato medalje.
“Fitimi i atyre titujve është arritur me punë të madhe nga unë dhe bashkëlojtarët e mi. Andaj nuk do t’i ndërroja me asgjë. Por, të fitoj Kampionatin botëror do të kishte qenë një ndjenjë e pabesueshme”, tha Rooney për tabloidin anglez The Sun.
Rooney beson se Anglia ka kualitet për të fituar në Afrikën e Jugut, ndërsa ndjen se prania e Fabio Capellos si selektor është një armë shtesë.
“Gjithçka mund të ndodhë gjatë një gare. Ju mund të shkëlqeni në të gjitha ndeshjet, por të eliminoheni në përballjen e ardhshme. Duhet të sigurojmë që të shkojmë më larg se në vitet e kaluara. Capello është trajner i madh. Në fushë, ai i sheh të gjitha dhe në vend se të vazhdojë seancën, ai e ndërpret atë. Ai i përsërit gjërat disa herë derisa t’i nxjerrë edhe detajet më të vogla. Pasi të rregulloni edhe detajet e vogla, atëherë gjithçka është në rregull”, shtoi ai.
Rooney e konsideron SHBA-në si rivalin kryesor të Anglisë në grupin C dhe ka veçuar portierin e Evertonit, Tim Howard si futbollistin kyç.
“Nuk mendoj se mund të nënçmoni dikë që është kualifikuar për në Kampionatin botëror dhe ndeshja jonë e parë kundër SHBA-së është përballje e vështirë. Tim Howard është portier i mirë dhe ka fituar përvojë të shkëlqyeshme nga koha që kaloi në Manchester United dhe tani në Everton”, përfundoi Rooney.