05 dhjetor 2009

Ronaldo përjashtohet me karton të kuq në fitoren e Realit

Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat 4-2 në takimin e zhvilluar në Santiago Bernabeu kundër Almerias.
Sergio Ramos kaloi Mbretërit në epërsi pas një krosimi të Cristiano Ronaldos (31’), dhe me epërsi minimale të vendasve përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, mysafirët arritën ta barazojnë rezultatin me anë të Sorianos (58’).
Vetëm katër minuta pasi shënuan golin e parë, mysafirët madje krijuan edhe avantazh, ndërsa realizues ishte Kalu Uche (62’). Por ky gol vetëm sa i nevrikosi vendasit.
Gonzalo Higuain barazoi rezultatin (73’), ndërsa pas një penalltie të humbur nga Cristiano Ronaldo (82’), Karim Benzema ktheu sërish avantazhin e Los Blancos (83’).
Superylli portugez, Cristiano Ronaldo, vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes në minutën 84, mirëpo pas dy kartonëve të verdhë të njëpasnjëshëm, ai u përjashtua nga ndeshja (89’).