Rikthimi tek Kombëtarja Braziliane para Botërorit afrikanojugor është akoma një ëndërr, por Ronaldinjo vazhdon ta mbajë gjallë këtë ëndërr. Dhe ndërkohë fantazisti i Milanit kërkon të ndihmojë fëmijët e varfër të vendit të tij. Për vitin e katërt rradhazi lojtari ka organizuar evenimentin “Krishtlindje dhe spektakël futbolli” me qëllimin për të mbledhur fonde për fondacionin “Ronaldinjo Gauço”, që i shkon në ndihmë 700 të rinjve të Rio Grandes, vendi ku ka lindur lojtari, dhe 600 të tjerëve në qytetin e Bahias, në veriperëndim të Brazilit. Pikërisht në Salvador, kryeqendra e Bahias, është zhvilluar ndeshja midis Miqve të Ronaldinjos dhe një skuadre të formuar nga futbollistët e këtij vendi. Rezultati final ka qenë 6-3 për organizatorin e festës që ka marrë edhe një penallti të dyshimtë, të cilën e ka transfomruar në gol në fundin e takimit.
PA PRESIONE - Publiku është zemëruar pak për shkak se takimi ka filluar me një orë vonesë. Ronaldinjo ka lënë fushën e lojës në minutën e 86-të dhe është shoqëruar gjatë nga borohoritjet e tifozëve: “Seleçao, Seleçao”, kanë thirrur të pranishmit në stadiumin “Pituaçu”, duke i kërkuar trajneri të Brazilit, Dunga, grumbullimin e lojtarit kuqezi për botërorin e ardhshëm. “Ka qenë një festë e bukur, - ka thënë Dinjo. - Objektivi im është ta bëj këtë projekt të rritet akoma më shumë. Ndoshta një ditë do të veprojë në të gjithë Brazilin. Deri tani kam luajtur në dy Botërorë dhe do të më pëlqente të luaja akoma, por nuk dua t’i bëj presion askujt”.
GJITHMONE MILAN - Pavarësisht shembujve të kohëve të fundit të Ronaldos, që ka shkuar në Brazil për të luajtur me Korinthiasin, dhe të Adrianos, i kthyer tek Flamengo, Ronaldinjo, të paktën për momentin, nuk parashikon një rikthim në atdhe: “Ndihem mirë tek Milani. Jemi kualifikuar në Champions. 2009-ta ka qenë një vit i mrekullueshëm. Jam i lumtur për Ronaldon dhe Adrianon që janë kthyer në Brazil dhe luajnë mirë. Por të gjitha forcat e mia janë të përqendruara tek Milani. Ky është klubi për të cilin duhet të jap maksimumin për t’u kthyer tek kombëtarja. E ardhmja i përket Zotit. Ndoshta një ditë do të rikthehem të luaj në vendin tim”, ka thënë braziliani.
HEDHJE E BUKUR - “Miqtë e Ronaldinjos” kanë luajtur me fanellën rozë dhe të mbathura të zeza për të kujtuar Viktorian, skuadër e Salvadorit. Ronaldinjo ka luajtur në rolin e mesfushorit të avancuar dhe ka preferuar t’u shërbejë shokëve, në vend që të godasë portën. Pjesa e parë ka përfunduar 5-2 për formacionin e milanistit, me një tripletë të Vagner Lovit dhe një dygolësh të Uashingtonit, ndërsa Edilson me një dy golësh tjetër ka ngushtuar pak diferencat. Në pjesën e dytë ka patur më pak gola dhe emocione, por në minutën e 85-të Ronaldinjo është hedhur në zonën e rreptësisë së kundërshtarit dhe ka qeshur. Arbitri ka dhënë një penallti që është transformuar pikërisht nga organizatori i festës. Ndërkohë, në takim kanë marrë pjesë edhe Rozana, futbolliste e kombëtares së Brazilit për femra, dhe 16-vjeçari Romarinjo, djali i Romarios.