11 dhjetor 2009

Rikonstruktimi i “Qemal Stafës”, gati projekti

Më në fund është gati projekti për ndryshimin e “fytyrës” së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.Midis mundësisë së ndërtimit të një stadiumi të ri dhe rikonstruksionit të atij ekzistues, duket se mundësia e dytë është më e realizueshme, duke parë koston e ulët në krahasim me ndërtimin e stadiumit të ri në periferi të Tiranës (12 milion euro është vlera e rikonstruksionit, ndërkohë që ndërtimi i stadiumit të ri kushton rreth 40 milion euro).
Sipas këtij projekti, tribuna qendrore do të ketë një kapacitet prej 6000 vendesh, ndërkohë që tribuna VIP do të ketë 400 vende. Po kështu, do të shtohet numri i vendeve të gazetarëve dhe do të ndërtohen dy salla konferencash për shtyp dhe zona miks. Tribuna qendrore dhe ajo karshi, që përfshin tribunat D1, D2, D3 dhe D4, do të mbulohen plotësisht.
Në diskutimin në parim midis përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Furbollit dhe atyre të Ministrisë së Sporteve, është rënë dakord që gjysma e këtij investimi, pra gjashtë milion euro, t’i mbulojë FSHF-ja dhe gjashtë të tjerat qeveria.
Ndërtimi i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” ka filluar në vitin 1939, kurse përurimi i tij u bë në vitin 1946 me rastin e Ballkaniadës. Gjatë viteve të fundit, ndërhyrjet në stadiumin më të madh në vend kanë qenë minimale dhe shpesh herë UEFA dhe FIFA kanë mbyllur njërin sy për të na dhënë lejën e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare.