16 dhjetor 2009

Rëniet dhe ngritjet e vjeshtës

Rëniet dhe ngritjet e klubeve dhe të futbollistëve gjatë një sezoni, janë evidente gjithmonë në botën e futbollit. Uebfaqja italiane, yahoo.it, e ka bërë një analizë rreth klubeve dhe futbollistëve që patën rënie dhe ngritje të tyre gjatë këtij gjysmë (gati) sezoni.

Skuadrat e rikthyera

Bayern Munchen – Klubi bavarez bëri mrekullinë. Për vetëm dy javë, ky ekip e ka ndërruar komplet pamjen dhe është shndërruar në një skuadër që para pak javësh konsiderohej në një krizë të zezë, ndërsa trajneri Van Gaal vlerësohej si një dështues i gjorë. Por, si ndryshuan gjërat? Bayern e kishte gjetur fitoren e rëndësishme në Ligën e Kampionëve kundër Juventus, ndërsa vazhdoi pesë gola ndaj Bochum, duke dhënë spektakël dhe duke e konfirmuar kualitetin e futbollistëve si Olic e të riut Badstuber. Tash, kreu i tabelës është vetëm dy pikë larg.

Bordeaux – Skuadra e Laurent Blanc po shkëlqen në Francë kohëve të fundit. Pas fitoreve të rëndësishme kundër Paris Saint-Germain, Gourcuff dhe shokët e tij e kanë përforcuar lidershipin.

Porto – Është një skuadër për të cilën flitet pak, ndoshta për faktin se sezonin nuk e kishte nisur në mënyrën më të mirë. Por, për pak kohë, si në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe në Superliga, klubi portugez e ka gjetur vazhdimësinë e lojës. Fillimisht e mposhti bindshëm 3:0 Atletico Madridin, e më pas skuadra e Jesualdo Ferreiras shpërtheu edhe në kampionat, ku e mposhti Benfican e Braga.

Skuadrat dështuese

Liverpool – Eksperienca e gjatë e Rafa Benitez në Angli duket se ka ardhur tek fundi. Pronarët e Liverpool kanë shpenzuar shuma marramendëse, vetëm për t’ia siguruar trajnerit spanjoll futbollistët që i dëshironte, por sukseset mungojnë.

Benitez ka kontratë me klubin anglez deri në qershor të vitit 2013, andaj pronarët nuk e kanë aq lehtë ta largojnë, për shkak të dëmshpërblimit të kushtueshëm. Skuadra është shumë më e dobët se vitin e kaluar, e kjo jo vetëm për shkak të largimit të Xabi Alonso. Liverpool përfundimisht ka nevojë për ndryshime.

Lyon – Lyon e ka pësuar humbjen e dytë radhazi, ndërsa pozita e gjigantit francez në tabelë është për të të ardhur keq. Lyon zë pozitën e nëntë, 8 pikë më pak se kryesuesi. Ky klub nuk ka fituar nga 31 tetori. Përballja me Bordeaux konsiderohej si loja e rilindjes dhe e rikthimit, por në fund e shtoi dhimbjen e tifozëve të këtij klubi. Lyon e humbi dominimin e vet shumëvjeçar, vitin e kaluar, kur nuk arriti ta fitonre titullin e kampionit. Skuadra e Claude Puel duhet të ndryshojë.

Wolfsburg – Kampionët e Gjermanisë e mbyllën një javë dizastër, për vazhdën e kampionatit dhe për anën ekonomike të klubit. Wolfsburg u eliminua nga Liga e Kampionëve, pasi u mposht në shtëpi nga rezervat e Manchester United.

Ndërsa, në Gjermani u mposht në shtëpi nga Borussia Dortmund me rezultat 3:1. Wolfs gjendet në pozitën e nëntë në tabelë, 9 pikë më pak se kryesuesi Bayer Leverkusen. I vetmi ngushëllim për Wolfsburg është se shënon gol gjithmonë, edhe kur humbet.

Futbollistët në formë

Andrei Arshavin (Arsenal) – Futbollist i jashtëzakonshëm. Ai është një garanci që gjithmonë të jetë vendimtar në ndeshjet që Arsenal i zhvillon në Anfield Road. Pas katër golave të shënuara në muajin prill, në barazimin 4:4, sulmuesi rus shënoi edhe një herë në fitoren e Arsenal me rezultat 2:1, në shtëpi të Liverpool.

Gustavo Ramos (Hertha Berlin) – Nëse Hertha gjendet në pozitën e fundit të Bundesligës, 7 pikë nga vija e rrezikshme, Gustavo Ramos nuk i ka fajet. Gustavo Ramos po shkëlqen me gola këtë sezon. Ai shënoi në minutën e 90-të kundër Bayer, duke e barazuar rezultatin në 1:1, në një ndeshje ku “Farmaceutikët” e kishin filluar paraprakisht festën.

Futbollistët dështues

Jens Lehmann (Stuttgart) – Ky sezon me të vërtet konsiderohet si njëri prej më dështuesve për portierin gjerman. Pasi e bëri nevojën e vogël, pak metra larg portës së tij, veterani gjerman u shqua edhe me një kuriozitet tjetër: në kohën shtesë, dhe me skuadrën e tij në avantazh, bëhet protagonist i një rasti tjetër. Ai kërceu në ajër dhe shkaktoi penallti ndaj Arirstide Bancé, me ç’rast gjyqtari i dha edhe kartonin e kuq. Lehmann ia mohoi fitoren Stuttgartit, e cila i mungon nga 26 shtatori. “Duhet ta shqyrtojë mundësinë e pensionimit”, kishte thënë pas asaj ndeshjeje, ish portieri legjendar gjerman, Oliver Kahn. Lehmann në ndërkohë, për ngjarje të tjera, ishte gjobitur nga klubi me 40 mijë euro, por për momentin refuzon t’i paguajë ato. Ai ka konfirmuar se dëshiron ta nderojë kontratën e tij deri në fund të sezonit.

Yjet që po rriten

Miroslav Stoch (Twente) – Sllovaku 20 vjeç është përshtatur mjaft mirë me shokët e tij, në mesfushën teknike dhe të ritmit të lartë, siç e ka Twente, kryesuese në kampionatin holandez, Eredivisie. Por, ai shquhet edhe me lojën individuale. Ai e shënoi golin e fitores nga penalltia kundër NAC. Twente e ka shënuar fitoren e 12-të radhazi në kampionat.