17 dhjetor 2009

Renditja e FIFA-s, Kombëtarja shqiptare dy vende më lart

Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 2 pozicione në renditjen e FIFA-s për këtë muaj, duke u renditur në vendin e 96-të, në kuotën e 336 pikëve.Kjo renditje u publikua në faqen zyrtare të FIFA-s. Shqipëria është renditur gjithashtu në vendin e 42-të nga 53 shtete, në renditjen e përfaqësueseve të UEFA-s, duke ruajtur pozicion nga renditja e muajit të kaluar.
Gjatë periudhës nga 20 nëntori deri në 16 dhjetor, Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk ka zhvilluar asnjë takim dhe renditja ka ardhur si pasojë e ndeshjeve të skuadrave të tjera.
Rezultatin më të mirë në renditjen e FIFA-s Shqipëria e ka arritur në gusht të vitit 2006, kur pozicionohej e 62-ta, ndërsa rezultatin më të ulët në gusht të 1997, kur u rendit në vendin e 124-t.
Ndërkohë, në krye të renditjes botërore të FIFA-s nuk ka pasur asnjë ndryshim. Spanja është zgjedhur skuadra e vitit në klasifikimin e fundit të FIFA-s për 2009-ën, duke mbajtur kreun e renditjes me 1627 pikë. Vendin e dytë e mban Brazili me 1568 pikë, i ndjekur nga Hollanda me 1288 pikë dhe Italia 1209 pikë.
Portugalia është në vend të pestë të renditjes me 1176 pikë, pas se cilës vijnë Gjermania 1173 pikë, Franca 1117, Argjentina 1085, Anglia 1076 dhe Kroacia me 1042 pikë. Klasifikimi i ardhshëm pritet të bëhet me 3 shkurt 2010.