16 dhjetor 2009

Rasti i fundit

Michael Ballack njihet si njëri prej futbollistëve më të pafat në histori të futbollit. Shpesh, në skuadrat ku ka luajtur, futbollisti gjerman ka dështuar në çastet e fundit për t’u bërë kampion, duke humbur në finale, qoftë me ekipe, apo edhe me përfaqësuesen gjermane.
Kapiteni i Gjermanisë, thotë se në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010, nuk do të ketë favorit absolut. 33 vjeçari i Chelseas beson se përballjet në grup me Serbinë, Australinë e Ganën, do të jenë sfida të vërteta për gjermanët.
“Ne nuk ishim bindës, sidomos në ndeshjet miqësore, që të themi se jemi në gjendje t’i mposhtim të gjithë”, ka thënë Ballack për magazinën gjermane, Kicker.
Ballack shtoi se Gjermania ka reputacion dhe përvojë në Botëror, qoftë me futbollistët më të mirë, apo jo. Gjermania Perëndimore e fitoi këtë trofe, në vitet 1954, 1974 e 1990, ndërsa gjermanët u mposhtën në finalen e vitit 2002, e më 2006 e zunë vendin e tretë. Ata u kualifikuan në secilin nga 16 Botërorët e mbajtur, dhe shkuan së paku në çerekfinale.
“Nuk mund të thoni se kishim fat në short. Ne kemi grup të fortë dhe të tre kundërshtarët janë të papërshtatshëm dhe fizikisht shumë të fuqishëm. Ne do të nisim çdo gjë nga fillimi. Fokusimi tek lojërat e mëdha, ka qenë gjithmonë njëra nga forcat e gjermanëve”, shtoi ish futbollisti i Bayer Leverkusen e Bayern Munchen.
Gjermania, e udhëhequr nga selektori Joachim Low, do të mbështetet nga kapiteni Ballack, por s’duhet harruar mesfushorin Bastian Schweinsteiger dhe sulmuesit Lukas Podolski e Miroslav Klose.
Para ndeshjeve të Botërorit, Gjermania do ta zhvillojë një ndeshje miqësore në Munich, me 3 mars kundër Argjentinës.