23 dhjetor 2009

Pritje e vakët për Mançinin. Tekniku synon Kasanon e Kjaer

Vetëm pak orë pas prezantimit të Roberto Mançinit te stoli i Mançester Sitit, mediat britanike kanë shprehur mendime të ndryshme. Nga njëra anë qëndrojnë gazetat, si "The Guardian" që nënvijëzonte xhentilesën e paraqitur nga trajneri, ndërsa në tjetrën janë "Daily Telegraph" dhe "Indipendent" që përkrahnin ish-teknikun Hjuxhs. Objektivat e përcaktuar nga Mançini janë kualifikimi i menjëhershëm në Champions dhe triumfi në Premiership gjatë sezonit të ardhshëm. Por, "Daily Telegraph" shkruante: "Ai nuk ka eksperiencën e duhur për kampionatin anglez dhe nuk e njeh aspak këtë aktivitet. Duhet parë edhe sa do ta mbështesë skuadra". Për pjesën e fundit të opinionit vijnë sinjale mjaft negative: një delegacion prej gjashtë lojtarësh, të kryesuar nga Belami, i kanë kërkuar klubit që të largohen si pasojë e shkarkimit të Hjuxhs. Gjithsesi Mançini i ka gati alternativat në merkato: përveç Kielinit, në mbrojtje ai kërkon Simon Kjaer (Palermo) dhe Kristian Ansaldi (Rubin Kazan), ndërsa për sulmin objektivi është Antonio Kasano i Sampdorias.