03 dhjetor 2009

Priten ndryshime të mëdha

Skuadra e futbollit Vëllaznimi nga Gjakova ka pasur rezultate të dobëta gjatë stinorit vjeshtor në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Gjakovarët renditën në vendin e parafundit (11-tin) me vetëm 14 pikë, pozitë që aspak nuk e lë të qetë në pushimin dimëror. Menaxheri i skuadrës gjakovare, Ahmet Morina, paralajmëroi ndryshime të mëdha. Sipas tij, së paku pesë futbollistë janë në listë për t’u larguar nga klubi, por pritet të ketë edhe ndryshime në Shtabin Teknik. “Brenda javës pritet të mbahet mbledhja e kryesisë së skuadrës dhe të vendosin për çështjen e kryetrajnerit si dhe të futbollistëve. Ka mundësi Ismet Munishi të avancohet në postin e kryetrajnerit, por ka gjasa edhe Gojani të mbetët në postin e vjetër (kryetrajner). Kryesia është në bisedime me një kryetrajner, por kjo mbetët sekrete hëpërhë. Në listë kemi edhe pestë futbollistë që do t’i largojmë nga skuadra, për shkak se gjatë stinorit vjeshtor kanë pasur pak minutash”, tha Morina. Ismet Munishi ka gjasa të emërohet edhe kryetrajner nëse jepet pëlqimi nga kryesia, por nuk është larg mendsh të ketë ndryshime rrënjësore në Shtabin Teknik. Sipas Morinës, futbollisti Papuqi nuk ka gjasa të largohet sepse ka kontratë deri në fund të kampionatit, ndërsa për Alban Dragushën do të vendos kryesia ta mbajë në klub apo do të ia jap fletëlëshimin. “Kryetari i klubit, Agim Koci, gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pa u kthye ai nuk mund të mbajmë mbledhje dhe as të vendosë gjë kryesia”, nënvizoi Morina. Gjakovarët duke e shikuar pozitën tejet të pavolitshme në tabelë, gjithsesi kërkojnë të përforcohen me futbollistë cilësorë. “Kemi nevojë për dy mbrojtës dhe një sulmues. Mendoj se në pranverë do të jemi më të fortë dhe nuk do të përsëriten këto dobësi që i kemi pasur gjatë stinorit vjeshtor”, ka thënë Morina. Në javën e ardhshme do të dihet fati i Shtabit Teknik dhe cilët nga futbollistët do të marrin biletën për largim nga kjo skuadër me traditë të futbollit. Qëllimi i gjakovarëve është të organizohen sa më mirë, t’i bien gjërat në vend të vetin, ta kthejnë skuadrën në rrugën e duhur sepse Gjakova e meriton një skuadër të fortë dhe është ndër më të shikuara në elitën e futbollit.