11 dhjetor 2009

Presidenti i FSHF, Armand Duka, analizon të sotmen dhe të ardhmen e futbollit shqiptar

Në këtë intervistë të plotë kreu i federatës flet për problemet e kampionatit tonë, zbulon projektet, por gjithashtu u përgjigjet akuzave të presidentit të Tiranës, Refik Halili

Dje, në një prononcim për “Top Channel”, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur gjerë për shumë çështje që lidhen me futbolin shqiptar. Ecuria e deritanishme e këtij sezoni, dhuna që po shfaqet frikshëm në stadiumet tona si dhe akuzat e presidentëve të skuadrave të ndryshme kanë qenë pjesë e “skanerit” të kreaut të FSHF-së. Në këtë intervistë të gjatë, që po botohet e plotë nga “Sporti shqiptar”, Armand Duka ka folur për projektet e federatës për zhvillinin e futbollit në Shqipëri. Sigurisht opinioni futbolldashës është i etur të dijë edhe për vendimin e Dukës për të rikandiduar ose jo në zgjedhjet e ardhshme të FSHF-së, që do të mbahen në pranverë të 2010-ës.

- Zoti Duka, si do ta komentonit ecurinë e kampionatit, kur Dinamo është shkëputur nga ndjekëset?

‑ Është herët për të thënë se gjithçka është mbyllur. Gara për të gjitha kompeticionet është e hapur. Dinamo është ekip i organizuar, që ka dhënë shumë në këtë pjesë të kampionatit, ka përbërje të mirë, por është mbyllur vetëm faza e parë. Ekipet nuk konkurrojnë vetëm për vendim e parë, pasi ka stimuj të tjerë. Ekipet janë të ngjeshura dhe nuk kanë diferenca të mëdha në cilësi, që do të thotë se edhe rivaliteti është i madh. Në çdo ndeshje mund t’i presësh të tri rezultatet. Shpresoj që edhe për vendim e parë në kategorinë superiorë gara të bëhet më e fortë. Dhe kam besim që do të ndodhë kështu.

‑ Dy skuadra me traditë, si Tirana dhe Vllaznia, që vjet i dhanë tonin kampionatit, këtë sezon janë larg objektivave. Mendoni që forma e tyre ka ndikuar në rënien e cilësisë së kampionatit?

‑ Është e pamundur që një skuadër të bëjë të njëjtën paraqitje çdo sezon. Tirana dhe Vllaznia janë më shumë kontribut në kampionatin shqiptar, madje edhe në këtë sezon, por ecuria e tyre jo shumë e mirë nuk mund ta zbehë cilësinë e garës. Megjithatë, jam shumë i bindur që për pjesën e mbetur të kampionatit të dyja këto skuadra do të kenë rezultate shumë më të mira se ç’kanë pasur deri tani. E kam këtë bindje nga kontigjenti i tyre.

‑ Në fund të fazës së parë shumë presidentë kanë pasur rezerva për cilësinë e gjykimit, madje kanë lëshuar akuza të ashpra…?

‑ Në një garë, të gjithë aktorët kërkojnë të marrim maksimumin dhe kur vijnë rezultatet e këqija e gjejnë të keqen jo te vetja. Historikisht, në futboll ka pasur kontestime në drejtim të gjyqtarëve, por në këtë sezon nuk besoj që vendimet e tyre kanë ndikuar në atë që kanë merituar aktorët. S’mund ta mohoj që në ndeshje të veçanta ka pasur raste që vendimi i gjyqtarit mund të ketë ndikuar në rezultat, por unë jam i bindur që gjyqtarët tanë janë më të përgatitur se në sezonet e shkuara.

‑ Pra, i hidhni poshtë akuzat për mitmarrje?

‑ Shoqëria ku jetojmë është me probleme të shumta, që nuk i përjashton edhe këto raste, por dua të theksoj se dënimi është njësoj si për korruptuesin ashtu dhe për të korruptuarin. Për fat të keq, nëse ka arbitra të korruptuar, i bie që korruptuesit jemi ne, drejtuesit e futbollit, pesidentët apo sekretarët e klubeve. Unë nuk dua të mendoj që presidentët korruptojnë gjyqtrarët, kështu që nuk mund të mendoj që gjyqarët janë të korruptuar.

Nuk dua të them që kemi arbitrat më të mirë në botë, por fakti është që në mentalitetin tonë humbja është e papranueshme, kështu që gjejmë justifikime. Gjykimi ka të metat e tij, por i përgjigjet nivelit të futbollit tonë dhe nuk është kurrë poshtë tij. Komisionet në FSHF kanë marrë masa për gjyqtarët që kanë gabuar, por, e përsëris, ne si FSHF mendojmë që kemi bërë hapa para sa i përket cilësisë së gjykimit.

- Komisioni i disiplinës ka dhënë shpesh dënime për rastet e dhunës, por duket sikur këto masa kanë qenë të lehta…?

‑ Ndoshta ka një lloj subjektivizmi, por nuk mendoj që komisionet kanë qenë tolerante. Vetëm javën e fundit janë dënuar tri fusha. Ka futbollistë që janë pezulluar deri në 2 vjet. Këto vendime nuk janë tolerante. Nuk e përjashtoj mundësinë që në disa raste kanë gjykuar me tolerime, por kam përshtypjen se janë marrë parasysh personat apo klubet që kanë bërë shkeljet disiplinore.

Ndaj një futbollisti që ka kryer shkelje vetëm një herë, nuk mund të marrësh masat më të ashpra. E njëjta gjë vlen edhe për klubet. Shfaqjet e dhunës në futboll nuk eliminohen vetëm duke dhënë masa të ashpra disiplinore. Dhunën në radhë të parë, duhet ta dënojnë vetë klubet, sepse futbollisti i dënuar dëmton skuadrën e tij. Nëse të gjithë aktorët do të jenë në unison, besoj që shfaqjet e dhunës do të minimizohen. ‑ Federata nuk mund të mburret për cilësinë e futbollit, kur skuadrat stërviten apo luajnë në terrene shumë të vështira. Cilat do të jenë investimet e FSHF‑së për të përmirësuar kushtet e futbollit tonë?

‑ Zhvillimi i futbollit mund të mbështetet në dy shtylla: në përmirësimin e terreneve dhe në specializimin e trajnerëve. FSHF i ka pasur në projektet e saj të dyja këto pika. Edhe këtë sezon projektet e federatës nuk kanë munguar. Përveçse në fushat e superiores, KE ka marrë së fundmi vendimin për të investuar në të gjitha fushat e kategorisë së parë. Brenda 2009‑s besoj që do të përfundojë ndërtimi i 6 fushave me bar artificial (projekti parashikon ndërtimin e 16 fushave, që do të përdoren për stërvitje).

Dua të shtoj që këtë vit, për herë të parë, janë shpërndarë diplomat për licensën A të UEFA‑s. Në këto kurse kanë dhënë leksione lektorët më të mirë në Europë. Këto lloj kualifikimesh ndihmojnë në zhvillimin cilësor të futbollit në vendin tonë. Dihet që në periudhën e tranzicionit nuk kemi pasur kualifikime të tilla. Pas viteve ‘90, në futboll thuajse u shkatërrua gjithçka, sporti u hoq edhe nga shkollat dhe mungoi totalisht edukimi sportiv te të rinjtë. Për fat të keq, ata që do të edukoheshin në fillim të viteve ‘90 duhet t’i jepnin sot frytet e punës së tyre. Këtë e ndiejmë te brezat që rriten më shumë probleme. Brezat që ne po përgatitim duan pak kohë që t’i japin rezultatet e tyre.

‑ Në projektet tuaja ka qenë edhe ndriçimi artificial në të paktën gjashtë stadiume…?

‑ Ky projekt është ideuar dhe propozuar në FIFA dhe UEFA shumë kohë më parë. Është miratuar më në fund nga institucionet ndërkombëtare të futbollit dhe në këtë periudhë po zbatohet. Janë gjashtë stadiume që do të bëhen me ndriçim artificial: i Durrësit, Kavajës, Elbasanit, Korçës, Fierit dhe Vlorës. Besoj që tri impiante do të përfundojnë brenda janarit. Instalimi i impianteve të ndriçimit ndihmon në rritjen e cilësisë së futbollit, pasi ndeshjet do të mund të luhen në çdo orë. Të mos harrojmë që në periudhën e verës është shumë vapë për të luajtur gjatë ditës. Edhe ambientet sportive do të bëhen më atraktive për tifozët.

‑ Kohët e fundit është vënë re një lloj afrimi mes FSHF‑së dhe MTKRS‑së. Madje të dy institucionet janë shprehur të gatshme për zbatimin e projektit për stadiumin e ri…?

‑ Të gjitha qeveritë, pavarësisht ngjyrimeve politike, nuk është se e kanë pasur prioritet sportin. Investimet e tyre në sport pas viteve ‘90 kanë qenë thuajse nul. Kanë munguar strategjitë dhe prioritetet, ndërkohë që politikanët kanë tentuar të përfitojnë nga sporti, tek‑tuk në ndonjë ndeshje futbolli ose në sportet individuale. I thashë këto për t’i bërë thirrje qeverisë aktuale, por edhe tyre që do të vijnë, se duhet investuar më shumë në sport. Ne kemi bërë propozime konkrete, siç është futja e futbollit në programet shkollore.

Qeveria nuk duhet t’i paguajë sportistët, por t’u krijojë kushte të përshtatshme për ta ushtruar me profezionalizëm sportin. Kemi pasur një takim së fundi me MTKRS‑në, që është karakterizuar nga një klimë pozitive, ndryshe nga ç’ka ndodhur më parë.

Ministri Xhaferri dhe e gjitha administrata e MTKRS‑së kanë ofruar bashkëpunim me FSHF‑në. Siç e thashë më lart, një propozim yni ka qenë futja e futbollit në shkolla, ku FIFA do të investojë për programin, përgatitjen e mësuesve, pse jo edhe me bazë materiale, që të paktën një orë në javë djemtë dhe vajzat të luajnë futboll. Kemi bërë propozimin tonë edhe për ndërtimin e një stadiumi dhe shpresojmë që në buxhetin e ardhshëm të qeverisë këto projekte të kenë prioritet.

- UEFA ka njoftuar javët e fundit se ka nisur hetimin për tri ndeshje ndërkombëtare të dy klubeve tona, Tiranës dhe Vllaznisë…? ‑ Shpesoj që në përfundim të hetimeve futbolli ynë të mos marrë goditje. Nuk mund të nxitohemi e të themi që këto dy klube i kanë trukuar ndeshjet, për aq kohë se këto hetime nuk i nxjerrin fajtore klubet tona. E kam thënë edhe herë të tjera, që hetimet kanë nisur në bazë të dyshimeve. Gjithsesi, këto hetime nuk janë gjë e mirë për futbollin tonë. Uroj që të mos ketë gjë të vërtetë. Tirana dhe Vllaznia janë ekipe me shumë trofe në Shqipëri dhe vërtetimi i mundshëm i trukimit të ndeshjeve të tyre do të ishte njollë për futbollin tonë.

‑ A mund të ndikojë FSHF, për mirë a për keq, në UEFA në lidhje me këtë hetim?

‑ Në rastin konkret, FSHF nuk është përfshirë në këtë komision a komitet që ka nisur këtë hetim. Asnjë drejtues i FSHF-së, që merr pjesë në komitetet e UEFA‑s, nuk mund të ndikojë në komisionin e hetimit. Pjesëtarët e komisionit që merret me hetimin janë pjesë e federatave të tjera dhe jo të FSHF‑së. Nuk na është marrë asnjë mendim apo informacion para se të niste hetimi. Ju garantoj se, nëse do të kishim ndonjë dyshim apo argument, do ta kishim ngritur si problem. Sepse kemi gjitha të drejtat të ndërhyjmë me masa nëse kemi fakte për trukim të ndeshjeve nga skuadrat tona. Akuzat e Halilit janë rezultat i injorancës profesionale të dikujt që nuk e kupton se si funksionojnë gjërat.

‑ Pranverën e vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme për organet drejtuese të FSHF‑së. Si do t’i komentonit këto zgjedhje?

‑ FSHF ka bërë përparime në mënyrën e organizimit dhe ka bërë disa asamble të përgjithshme, që kanë nxjerrë drejtuesit e rinj. Para disa vitesh as nuk bëhej fjalë për zhvillimin e zgjedhjeve me këto parametra. Deri në vitin 2002 FSHF nuk ka mundur të bëjë qoftë një bilanc, ndërsa sot auditohet nga kompani prestigjioze dhe përgatit raporte transparente. Zhvillimi i asamblesë dhe i zgjedhjeve të radhës janë diçka krejt normale për institucionin e futbollit. Besoj që komuniteti i futbollit është i aftë ka kalojë me emancipim këtë fazë.

‑ A mendoni se një njeri që nuk është marrë me futbollin në të kaluarën e ka më të vështirë se një ish‑futbollist ta bëjë detyrën e presidentit të FSHF‑së?

‑ Nuk mund të them se kështu apo ashtu është më mirë. Pavarësisht nga profesioni, ndrejtuesi i një institucioni duhet të jetë mbi të gjitha drejtues i mirë. Mund të jetë ekonomist, jurist apo futbollist, e rëndësishmë është të plotësojë aspiratat e atyre që e kanë zgjedhur dhe të drejtojë mirë. Futbolli është profesion si gjithë profesionet e tjera. Nëse do të marr një shembull vulgar, nuk besoj që drejtori i një materniteti duhet të jetë patjetër gjinekolog. I botës së futbollit ose jo, çdo njeri mund ta menaxhojë shumë mirë futbollin.

Alternativat e FSHF-së: Stadium të ri, ose rikonstruksion të “Qemal Stafës”

Që Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk stadium me standarte europiane, kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Për këtë janë të vetëdijshme edhe institucionet më të larta të botë, UEFA dhe FIFA, të dërguarit e të cilave janë skandalizuar me atë që kanë parë dhe fotografuar në “Qemal Stafa”. Por cila është zgjidhja që propozon kreu i FSHF-së, Armand Duka:
“Në botë federatat e futbollit nuk ndërtojnë stadiume, por ne e kemi marrë këtë nismë për vetë kushtet që paraqet vendi ynë. Kemi dhënë dy alternativa: ndërtimin e një stadiumi të ri ose rikonstruksionin e “Qemal Stafës”. Jemi vendi i vetëm në Europë që nuk kemi një stadium me standarde. Sipas një projekti të një studioje shqiptare, për ta rikonstruktuar “Qemal Stafën” me një kapacitet 25‑30 mijë vende duhen 12 milionë euro. Në rastin e parë propozimet tona janë:
1‑ FSHF ka marrë përsipër të garantojë 50% të investimit. Ne e sigurojmë këtë fond nëpërmjet donacioneve apo kredive dhe kërkojmë që për një kohë të gjatë të mos paguajmë për zhvillimin e ndeshjeve në “Qemal Stafa”.
2‑ Jemi dakord që investimin ta bëjë vetë shteti, ndërsa FSHF të paguajë një shumë fikse për çdo ndeshje të zhvilluar.
3- Investimin mund ta bëjë të plotë FSHF‑ja, por ta marrë stadiumin me koncesion, për të rikuperuar në një kohë të gjatë paratë e investuara.
Propozimi i dytë ka të bëjë me ndërtimin e një stadiumi të ri. Kemi kërkuar të na vihet në dispozicion terreni, pa pagesë, ndërsa FSHF i gjen vetë fondet për ta ndërtuar. Këtë propozim ia kemi bërë ministrit Xhaferri. Ekziston një ide, por ne nuk e kemi studiuar dokumentacionin për ndërtimin e stadiumit në periferi të Tiranës, pikërisht në Lundër. Kostoja e një stadiumi të ri luhatet nga 1000‑1500 euro për spektator. Që do të thotë se për një stadium të ri 30 mijë vendësh duhen 30‑45 milionë euro.
Federata është e varfër, nuk i ka këto para, por mendojnë t’i gjejmë, siç e thashë më lart, në rrugë të ndryshme, me donacione dhe kredi. Duhet të kemi parasysh së ndërtimi i një stadiumi modern është imperativ i kohës.” Fjalët e mira për ngrohjen e marrëdhënieve mes FSHF-së dhe MTRKS-së të japin idenë se shumë shpejt shqiptarët do të kenë një stadium modern, me parametra bashkëkohorë. “Nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë,” - thotë pupulli.

Diplomacia e Dukës: E kam menduar rikandidimin

Armand Duka është në krye të FSHF-së që nga viti 2002. Gjatë epokës së tij futbolli shqiptar ka bërë disa hapa para, por nuk kanë munguar kritikat për një drejtim më të mirë të FSHF-së. Nga 2002-shi deri sot kombëtaren shqiptare e kanë drejtuar 5 trajnerë të huaj, i fundit Josip Kuzhe.
Investimet në futboll, sidomos në terrene sportive, janë më të prekshme gjatë “qeverisjes” së dytë të Dukës, por a do të rikandidojë ai në zgjedhjet e arshshme për postin e prsidentit? “Realisht kemi kohë që po përgatitim dokumentacionin për zgjedhjet e ardhshme, sepse duhet goxha punë për të kapur afatet statutore. Kjo nuk do të thotë që s’e kam menduar rikandidimin.
Sinqerisht nuk kam marrë vendim final. Më parë duhet të konsultohem me komunitetin e futbollit, qoftë bashkarisht apo në mënyrë individuale.” Federatë ka shumë projekte në zbatim, të iniciuara pikërisht nga Duka, por ai nuk i lidh këto projekte me kohëzgjatjen e presidencës së tij: “Asnjëherë nuk kam menduar që projektet duhet të marrin jetë për aq kohë sa jam president i FSHF‑së.
Projektet janë të fedaratës. Edhe ai që do të jetë pas meje duhet të punojë për projekte afatgjata, për të kontribuar maksimalisht për futbollin. Fakti që i kërkojmë ministrisë për një projekt 50‑vjeçar për stadiumin është argument bindës që nuk lidhet me kohën që unë jam president i FSHF‑së. Unë mendoj në vazhdimësi. Dëshira për të vijuar punën në krye të FSHF‑së ekziston, por, para se ta marr këtë vendim, do të bëj një konsultë me të gjitha klubet.”

Kundërpërgjigjja: Halili na bën punë si elektriçist i mesëm

Nuk mund të themi se marrëdhëniet mes tyre kanë qenë më të mirat, megjithatë kurrë më parë nuk kanë hedhur akuza kaq të ashpra ndaj njëri tjetrit. Presidenti i Tiranës ka akuzuar direkt Armand Dukën për nisjen e hetimit për trukim nga UEFA, por kundërpërgjigjja e kreut të FSHF-së nuk ka qenë me të njëjtën monedhë.
Të paktën deri dje. “Në radhë të parë, FSHF nuk mund të ketë marrëdhënie të këqija me presidentin e një klubi futbolli, që është vetë anëtar i kësaj federate. Klubi i Tiranës është me më shumë trofe në Shqipëri dhe kurrsesi nuk mund të paragjykohet, qoftë nga presidenti i FSHF‑së. Insitucioni i futbollit nuk dëshiron të merret me individë të veçantë. Ndoshta është hera e parë dhe e fundit që unë do të diskutoj për persona në veçanti.
Sulmet e Halilit janë personale, ndoshta për faktin që ai lakmon postin e presidentit të FSHF‑së. Refiku i Tiranës duhet t’i shikojë me shumë kujdes akuzat që i janë bërë skuadrës së tij. Nëse ka të vërteta në këto akuza, le t’i kurojmë së bashku. Uroj që të mos ketë. Nëse kritikat e tij janë në sensin pozitiv, nuk ka asnjë të keqe, madje unë i mbaj të gjitha shënim. Kam dëgjuar shumë akuza nga Refiku, pavarësisht se nuk u jam përgjigjur.
Gabimi ynë i vetëm në këtë mes ndoshta është mospërfshirja e Refikut në punët tona në tenderin për ndriçimin e stadiumeve, duke ditur se është elektriçist i mesëm. Do të na kishte dhënë goxha ndihmë. Nuk besoj që kemi bërë gabim tjetër.
Meqë akuzat e Refikut janë bërë në media, dua ta sqaroj opinionin publik se për këtë tender, duke qenë se nuk jemi të fushës, kemi angazhuar një studio franceze, që në bashkëpunim me UEFA‑n ka përgatitur të gjithë dokumentacionin.
Ajo ka bërë vlerësimin teknik të dokumentacionit dhe ka dhënë pëlqimin për një nga kompanitë më të mira në botë, “General Electric”. Akuzat janë të ulëta. Refikun do ta angazhojmë në organizimin e festës së Vitit të Ri, meqë e bën shumë mirë këtë punë,” - u është kundërpërgjigjur Duka akuzave të Halilit, që më shumë merr nota ironike.


80-vjetori i FSHF-së, miqësore me Spanjën ose Gjermaninë

Vitin që vjen, Federata Shqiptare e Futbollit mbush 80 vjet nga dita e themelimit të saj. Me rastin e këtij jubileu, kreu i FSHF-së mendon të organozojë një festë të veçantë, pjesë e së cilës do të jetë një takim miqësor me një nga emrat më të mëdenj të futbollit europian. “Në qershor të 2010‑ës Federata Shqiptare e Futbollit feston 80‑vjetorin. Me këtë rast do të organizojmë një festë të futbollit mbarëkombëtar. Pjesë e këtij organizimi do të jetë zhvillimi i një ndeshjeje miqësore me një skuadër me emër.
Fatkeqësisht, kjo festë përkon me finalet e botërorit, kështu që mund të kemi spostim datash për ta bërë sa më të bukur këtë festë. Kemi biseduar me Spanjën dhe Gjermaninë, por deri tani nuk kemi marrë përgjigje konkrete,” - ka zbuluar Duka. Nëse Spanja ose Gjermania do të kthejnë përgjigje pozitive, festa e 80-vjetorit do të jetë një dhuratë e këndshme për të gjithë dashamirësit e futbollit, që do të mund të mund të ndjekin që ndeshje të këndshme në shkallët e “Qemal Stafës”, sigurisht edhe nëpërmjet televizorit.