23 dhjetor 2009

Presidentët, akord parimor për ndryshimet në rregullore

Presidentët e skuadrave të Kategorisë Superiore kanë shfrytëzuar festën e fundvitit të organizuar nga FSHF-ja për të diskutuar propozimet e numrit 1 të Apolonisë, Koço Kokëdhima. Sipas një akordi parimor, ata i kanë hapur "dritën jeshile" disa ndryshimeve në rregullore, ku pika kryesore që kërkojnë klubet është që ata të zgjedhin vetë shefin e garave dhe shefin e gjyqtarëve. Të gjithë krerët e 12 skuadrave elitare ishin dakord me këtë metodë, e cila i heq disa kompetenca federatës, por që do të shërbente për të qetësuar disi situatën në kampionat. Janë të shpeshta rastet kur drejtuesit e klubeve akuzojnë Sektorin e Garave apo atë të Gjyqtarëve për problemet në Superiore, ku tema më e diskutuar është padyshim ajo e arbitrimit. Kokëdhima ka propozuar edhe ndërtimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Klubeve të Superiores, një organ i përbërë nga presidentët e klubeve që militojnë mes më të mirave, e që do të krijohet në funksion të krijimit të Ligës Profesioniste. Për sa i takon disa ndryshimeve në Statutin e FSHF-së, ato pritet të bëhen në Asamblenë e radhës, e cila do të zgjedhë edhe presidentin e institucionit që drejton sportin më popullor në vend. Federata do të bashkëpunojë me klubet, për të diskutuar në anën juridike ndryshimet, të cilat u pranuan të bëhen.