26 dhjetor 2009

Premier Liga nuk njeh pushim, sot java e 19-të

Sot luhen ndeshjet e javës së 19-të në kampionatin anglez. Çelsi udhëton drejt Birmingamit, Liverpuli pret Ulverhemptonin. Nesër Arsenal-Aston Vila dhe Hull Siti-Mançester Utd.
Ndërkohë që kampionatet e tjera kryesore kanë marrë pushimet e fundvitit, Premier Liga vazhdon të dhurojë emocione të tjera. Sot dhe nesër ekipet angleze do të zbresin në fushën e lojës për të zhvilluar ndeshjet e vlefshme për javën e 19-të.

Çelsi kryesues do të luajë në transfertë ndaj Birmingamit, ndërkohë që Liverpuli ka një mundësi të artë për t’u rikthyer tek tri pikët, pasi do të presë në “Anfield Road” Ulverhemptonin. Roberto Mançini do të bëjë debutimin e tij në stolin e Mançester Sitit në shtëpi përballë Stoke Sitit.

Në takimet e tjera, Totenhemi luan në fushën e Fulhamit, Uest Hemi i Xhanfranko Zolës pret Portsmuthin, Sandërlendi i kapitenit Lorik Cana do të luajë në “Stadiumin e dritave” përballë Evertonit, Bërnli pret Boltonin dhe Uigani Blekbërnin.

Ndërkohë që nesër do të luhet përballja midis Arsenalit (që ndodhet në vendin e tretë me 35 pikë) dhe Aston Vilës, që ka të njëjtën kuotë pikësh, por ndodhet një vend më poshtë se “Topçinjtë” në renditje. Mançester Junajtid do të udhëtojë drejt Hull Sitit.

Premier Liga, java e 19-të:

Sot
Birmingham - Chelsea (ora 13:45)
Fulham - Tottenham (ora 14:00)
West Ham – Portsmouth (ora 14:00)
Burnley - Bolton (ora 15:00)
Man. City - Stoke City (ora 16:00)
Sunderland – Everton (ora 16:00)
Wigan – Blackburn (ora 16:00)
Liverpool - Wolverhampton (ora 18:30)

Nesër
Arsenal - Aston Villa (ora 14:30)
Hull City – Man. United (ora 17:00)