19 dhjetor 2009

Prapaskena, Juventusi kontaktoi me Hidinkun

Menaxheri i teknikut holandez ka bërë të ditur se ka pasur kontakte me klubin bardhezi
“Kam marrë telefonata nga e gjithë bota. Kam pasur kontakte edhe me Juventusin”. Këto kanë qenë fjalët e menaxherit të Gus Hidink, Çes van Nieuuenhuizen. Nuk ka zbuluar se kur ka ndodhur ky kontakt, por ka bërë të ditur se trajneri holandez ka ndërmend të respektojë kontratën që ka me Rusinë. “Ka një kontratë deri verën e ardhshme dhe i është bërë një ofertë për të rinovuar për dy vite të tjera. Mendoj se do ta bëjë këtë”. Tekniku për momentin duket se nuk nxiton për të gjetur një skuadër tjetër, edhe pse ajo e Rusisë për momentin e kënaq. Por, një gjë është e sigurt: kërkesat për të nuk mungojnë. Megjithatë, tek Juventusi duket se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga Ferrara, gjithmonë, në rast se nuk do të ketë humbje të bujshme. Van Nieuuenhuizen, gjithsesi, ka pranuar se ka folur edhe me drejtorin e përgjithshëm të Mançester Sitit, Geri Kuk. Kështu, nëse bardhezinjtë do të mendonin për të ndryshuar, duhet të lëvizin me shpejtësi. Por, menaxheri ka përsëritur se Hidink nuk do të lëvizë: “Kuk më ka kërkuar nëse ishte e mundur të organizohej një takim për të folur për të ardhmen. I kam thënë se do të ishte një gjë e kotë”. Në të vërtetë, sipas shtypit britanik, Hidink nuk do të firmosë një kontratë të re me federatën ruse dhe do të presë muajin shkurt për të vlerësuar ofertat e mundshme. Rusia nuk ka arritur të kualifikohet në Botërorin 2010 dhe në muajt e ardhshëm kombëtaria nuk do të ketë asnjë ndeshje zyrtare.