04 dhjetor 2009

Platini kundër televizionit: Ka vrarë arbitrimin

Pas rastit Henri, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka deklaruar se televizioni ndikon negativisht në nivelin e gjykimit në futboll.Sipas ish-sulmuesit të Kombëtares franceze, arbitrimi në ditët e sotme mund të quhet i vdekur. Këtë deklaratë numri një i institucionit më të lartë drejtues të futbollit europian e bëri në një prononcim për “France Press”, gjatë ceremonisë së hedhjes së shortit të Kampionatit Botëror.
“Nëse Tieri Henri është simulues, atëherë edhe futbollistët e tjerë janë si ai. Edhe unë kam qenë. Problemi qëndron se në këtë gjendje që është, arbitrimi mund të quhet i vdekur. Dhe ai që e ka vrarë, është televizioni. Këtë e them prej 10 vitesh. Nëse prekja me dorë do të kishte ndodhur para 20 vitesh, këtë episod do ta dinte vetëm Henri dhe portieri”, nënvizoi Platini.