22 dhjetor 2009

Pelegrini: Na mungonte Kristiano Ronaldo

Trajneri i Realit të Madridit pranon rëndësinë e portugezit: Pa të nuk fitonim kaq lehtë

Trajneri i Real Madridit, Manuel Pelegrini, ka pohuar se është i gëzuar që ka sërish në formacion Kristiano Ronaldon. Lojtari më i shtrenjtë në botë është kthyer për Realin që në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Zyrihut në fund të nëntorit, pas 11 ndeshjesh mungesë për shkak të dëmtimit.
Ai më pas shënoi edhe dy gola në fitoren 2-0 kundër Marsejës. I kënaqur me kthimin e tij, Pelegrini ka pohuar se skuadrës i ka munguar ai në çdo ndeshje që nuk ka qenë. “Kristano është kollos”, ka thënë Pelegrini për gazetën “AS”. “Ai bën diferencën në çdo ndeshje. Barcelona ka Mesin, ndërsa ne Ronaldon. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ka personalitet të shkëlqyer. Çdo ndeshje që nuk ka luajtur na ka munguar.”
Megjithëse ka theksuar talentin e madh të Ronaldos, Pelegrini ka vënë në pah aftësinë e skuadrës së tij që të marrë fitore radhazi edhe pa Ronaldon. Ai shtoi: “Nuk dua t’ia ul vlerat aspak, por Reali qe në gjendje të merrte vendin e parë në renditje edhe pa të teksa fituam edhe në “Mestalla” kundër Valencias duke mos pasur as Kakanë.” Manuel Pelegrini është ndalur edhe në pjesën e parë të sezonit duke thënë se skuadra e tij është shumë pranë objektivit të sezonit.
Kileni ka thënë se skuadra e Realit po luan shumë më mirë se në fillim të sezonit. Ai beson se Reali po luan lojën që kërkojnë tifozët e vet dhe ka thënë se mbështetësit e tyre nuk duan që të luajnë si Barcelona. “Unë nuk u befasova nga rezultati 6‑0 knudër Real Zaragozës, sepse e kam të qartë se çfarë mund të arrijë kjo skuadër. Ne kemi cilësi dhe përkushtim.
Pjesa e dytë e sezonit do të jetë interesante. Unë jam i mendimit se tifozët duan lloj tjetër futbolli, më të drejtpërdrejtë, më sulmues, që rrezikon më shumë. Ata duan Madridin që fitoi kundër Zaragozës. Nëse Madridi duket si Barça, do të nisnin fishkëllimat në tribuna. Nuk po them se Barcelona luan keq, jo, por stilet i kemi të ndryshme. Që nga dita e parë në këtë klub e pashë se kjo skuadër mund të arrijë gjëra të mëdha. Luajtëm keq vetëm kundër Seviljes, por kemi fituar në “El Madrigal”, “Vicente Calderon” dhe “Mestalla” dhe në “Camp Nou” ishim goxha mirë. Objektivat për 2010 janë të qartë: së pari të luajmë finalen e Ligës së Kampionëve në “Bernabeu” dhe së dyti të fitojmë kampionatin. Do përpiqemi t’i marrim të dyja”, ka përfunduar Pelegrini.