07 dhjetor 2009

Pas ndeshjes Xhenoa-Parma

Panuçi-Preciozi, polemika dhe fjalë të rëndaNdeshja Xhenoa-Parma, për Enriko Preciozin zgjati përtej 90-të minutave. Presidenti kuqeblu pas ndeshjes ka pasur një përballje jo miqësore në fillim me presidentin e Parmës Tomazo Girardi, pastaj me Kristian Panuçin, për çështje të merkatës së verës që shkoi. “I pafytyrë, ta bëj fytyrën si një top”. Këto janë fjalët e rënda të Panuçit, të kapura edhe nga telekamerat. “Ishte një përballje verbale pak qesharake, - komenton Preciozi. - Panuçi u ankua me faktin që nuk e solla te Xhenoa. Patëm një këmbim batutash, por nuk ka ndonjë gjë më shumë për të thënë. Ai ka mendimin e tij, por unë s’tërhiqem prapa. Ishte një përballje e ndezur që s’duhej të ndodhte. Fakti që ankohet për mungesë të blerjes nga ana jonë, ia heq meritat Parmës, që po luan një kampionat të shkëlqyer. Edhe Panuçi po luan një sezon të bukur, ta shijojë e të na lërë në paqe”. Ndërsa mbi debatin me Girardin, Preciozi sqaroi: “Është një histori e vjetër. Ai e di që e ndihmova kur Parma ishte në Serinë B, sa i takon merkatës, pastaj nuk ishte e njëjta sjellje nga ana e tij. Është një vendim i imi ai që unë s’dua të bashkëpunoj më me të. Girardi pati një sjellje provokuese, erdhi tek unë, duke e ditur që s’do t’ia shtrëngoja dorën. Besoj që zemërimin i pas ndeshjes duhet lënë mënjanë”.