22 dhjetor 2009

Parashikimi i Klinsmanit: Botërori me supriza…

Ish-trajneri i Gjermanisë dhe Bajernit “skanon” botërorin, që do të luhet verën e ardhshme në Afrikë

Për tifozët e futbollit në Gjermani dhe në mbarë botën, emri i Jurgen Klinsmanit lidhet me verën e vitit 2006, kur ai drejtoi skuadrën përfaqësuese të Gjermanisë në Kupën e Botës deri në gjysmëfinale, duke shkaktuar një valë të madhe euforie në Gjermani. Pamjet e tifozëve gjermanë dhe turmat e mëdha para ekraneve në sheshe bënë xhiron e botës në atë kohë.

Futbolli gjerman kishte gjetur heroin e vet, Klinsmanin, i cili e kishte përvojën e tij të parë si trajner. Por ish-sulmuesi preferoi të jepte dorëheqjen menjëherë pas turneut dhe u rishfaq në vitin 2008 në krye të Bajernit të Mynihut. Karriera e tij te bavarezët nuk zgjati më shumë se dhjetë muaj.

Në karrierën e tij si lojtar, ai zhvilloi 108 ndeshje me Gjermaninë, duke fituar Kupën e Botës në vitin 1990 dhe të Evropës në vitin 2006. Ai luajti për disa skuadra, si Bajerni, Interi dhe Totenhemi. Në një intervistë të dhënë prej tij për FIFA.com, ai tregon se është pranë transferimit në Kaliforni me familjen e tij pas qëndrimit në Mynih. Ai ka folur edhe për shortin e Botërorit, për favoritët dhe çfarë pritet nga Gjermania në Kupën e Botës 2010 në Afrikë të Jugut.

‑ Shorti për Kupën e Botës u hodh para tri javësh. A e ndoqët shfaqjen në Kejp Taun dhe si ju duk?

‑ E pashë shortin në televizor. Ishte një eveniment shumë i bukur për të startuar Kupën e Botës 2010 dhe më vjen mirë. Shorti i suksesshëm do të thotë që organizatorët tejkaluan një tjetër test të vështirë. Më ka lënë mbresa puna e tyre e madhe.

‑ Çfarë mendoni për organizatorët, Afrikën e Jugut? Çfarë mund të presim këtë verë që vjen?

‑ Pres një Kupë Bote fantastike. Nuk duhet krahasuar me asnjë Kupë Bote të mëparshme, sepse nuk mund t’i krahasosh. Eshtë e para herë që luhet në Afrikë dhe besoj se e kemi për detyrë të gjithë që të japim ndihmën tonë që të jetë një Kupë Bote e mrekullueshme.

‑ Duke iu kthyer detajeve të shortit, si e vlerësoni përbërjen e grupeve?

‑ Ka grupe që kanë nga tri skuadra të forta dhe një që mund të shkaktojë befasinë, por ka edhe grupe ku të katër skuadrat janë në një nivel. Eshtë e vështirë të bësh parashikime, duke qenë se të gjitha skuadrat do të luajnë në një klimë ndryshe për ta, në dimër. Mund të jetë Botëror me surpriza.

‑ Cilët janë favoritët sipas jush. Brazili, Anglia, Argjentina dhe vendasit e Afrikës së Jugut?

‑ Nuk ka pasur ndonjëherë një Kupë Bote me kaq shumë favoritë. Të paktën tetë skuadra janë mjaft të mira për ta fituar dhe secila prej tyre ka argumente në favorin e vet. Do të jetë një Kupë Bote e balancuar. Le të mos harrojmë se ka edhe 6 muaj kohë dhe mund të ndodhin shumë gjëra deri atëherë.

‑ Kush janë favoritët tuaj për trofeun?

‑ Të tetë skuadrat që janë koka grupi janë favorite, por duhen përfshirë edhe skuadra të tjera. E kam fjalën për Francën dhe Portugalinë. Nuk duhen harruar as skuadra si Bregu i Fildishtë dhe Kili, që kanë bërë eliminatore të shkëlqyera.

‑ Cilët lojtarë janë të destinuar të lënë gjurmë të pashlyeshme në këtë botëror?

‑ Pa mbështetjen e skuadrës asnjë lojtar nuk mund të bëjë asgjë për t’u shquar në një turne si ky. Sigurisht që Lionel Mesi, Kakà, Drogba ose Kristiano Ronaldo mund t’u japin formë ndeshjeve finale të Botërorit, por edhe shokët e tyre të skuadrës duhet të jenë në formë të mirë.

‑ Duke u kthyer te grupi i Gjermanisë, si ju duken Australia, Serbia dhe Gana?

‑ Nuk është grup as i keq dhe as i mirë. Sigurisht që mund t’i kishte rënë grup më i vështirë, por edhe më i lehtë. Serbia do të jetë interesante për t’u parë, ashtu si edhe Australia. Ata për pak mundën italianët në vitin 2006. Më intriguese do të jetë skuadra afrikane e Ganës.

‑ Deri ku do të shkojnë Joakim Lëv dhe përfaqësuesja gjermane, vitin që vjen?

‑ Gjermania futet në një Kupë Bote me synimin për ta fituar, nëse kanë edhe pak fat. Gjermania ka shkuar në gjysmëfinale ose finale në dy turnetë e mëdhenj të katër viteve të fundit. Por në fund diferenca bëhet nga disa gjëra të vogla. Me lojtarë të rinj si Mesut Ozil, Gjermania ka rritje.

‑ A keni ndier keqardhje kur u hodh shorti? Ju keni qenë trajner i përfaqësueses gjermane në shortin e shkuar.

‑ Keqardhja nuk është fjalë e saktë. Unë mezi e pres Kupën e Botës dhe punën si komentator në televizion.

‑ A keni keqardhje që dhatë dorëheqjen nga posti i trajnerit të përfaqësueses?

‑ Nuk merrem me të shkuarën. Nuk kisha alternativë tjetër në atë kohë. Familja ime kishte prioritet.

‑ Thatë që do të jeni në Kupën e Botës si komentator. A mendoni ta mbani atë detyrë edhe pas Botërorit?

‑ Edhe unë ia bëj vetes këtë pyetje. E kam marrë shumë me qetësi këtë punë. Shpresoj të përçoj te shikuesit harenë dhe atmosferën e Kupës së Botës. Nuk mund ta them nëse do të kthehem të drejtoj ndonjë skuadër.

‑Jeni përfolur se do të merrni një skuadër, një klub, kohët e fundit. Kur do t’iu shohim në bankinë?

‑ Fjalët nuk do të ndalen kurrë, por unë nuk mendoj të marr ndonjë skuadër deri në fund të Kupës së Botës. Ende nuk dihet se çfarë do të bëj më tej.