24 dhjetor 2009

Pandev fiton dhe shfryn ndaj Lotitos e Tares

Kolegji gjyqësor pranoi apelin e maqedonasit për prishjen e kontratës me Lacion: Ankthi mori fund
Goran Pandev ia doli. Pas disa muajsh ankthi, i lënë jashtë fushave të futbollit nga Lacio (përveç ndonjë daljeje me kombëtaren e tij), sulmuesi maqedonas do të kthehet shpejt për të bërë punën e tij. Kolegji gjyqësor ka pranuar apelimin e lojtarit dhe i ka dhënë të drejtë këtij të fundit ta prishë kontratën me Lacion për t’u çliruar përfundimisht dhe nga Klaudio Lotito, armiku i tij kryesor, i cili si dëmshpërblim duhet t’i paguajë Pandevit 160 mijë euro. Pandevit kjo histori nuk i ka lënë kujtime të bukura: “Më në fund ankthi mbaroi, - tha ish-sulmuesi i Lacios. - Jam i kënaqur që u çlirova nga një njeri që më ka dëmtuar shumë. Lotito dhe Tare nuk janë të denjë për të drejtuar një klub si Lacio”. Pandev flet “pa doreza” dhe sulmon ata që e vunë kundër një klubi që e donte. Dashuri që nuk u venit kurrë: “Mbetem gjithnjë një tifoz i Lacios, - pranon ai, - dhe duhet të falënderoj tifozët. Edhe ata po përjetojnë një moment të vështirë, por ata e dinë arsyen pse u largova”. Pandev përshkruan pastaj gjashtë muajt e fundit me fanellën bardhekaltër: “Mua, Ledezmën, Boneton e Manfredinin, me disa djem të tjerë, na “mbyllën” në një fushë të vogël stërvitore. Ishte një gjë e turpshme”. Një moment vështirësie, i përjetuar shpesh me shpatulla pas murit. Balardini, që sapo e njohu, nuk i dha asnjëherë një mundësi. Edhe shumë shokë ekipi nuk e kanë mbështetur: “Jam i zhgënjyer edhe nga Balardini, ka thënë gjëra që më kanë bërë keq, - vazhdon maqedonasi. - E dija që ishte në vështirësi, por duhej të ishte një njeri i ndershëm. Më vjen keq, e dinë të gjithë sa e doja fanellën e Lacios dhe gjërat që kam bërë për këtë klub”. Pandev ka shumë dëshirë ta rinisë, ndoshta në Itali karrierën: “Tani do të pushoj 2-3 ditë në shtëpi. Më pas do të vlerësoj të ardhmen time. Do të më pëlqente të qëndroja në Itali, sepse ndihem mirë dhe kam shumë miq”. Një e dhënë? Ndoshta edhe diçka më shumë.