16 dhjetor 2009

Oli Kahn: Lehman duhet të largohet

Oliver Kahn i ka bërë thirrje portierit të Shtutgartit, ish-rivalit të tij të vjetër, Jens Lehman, që të lërë futbollin pas incidenteve të fundit. Kahn dhe Lehman kanë pasur shpesh polemika të forta mes tyre për disa vite me radhë kur bënin duel për vendin e portierit titullar të Gjermanisë, por u duk se bënë paqe në Kupën e Botës 2006, kur Kahn u tërhoq nga përfaqësuesja.
Por Lehman është në qendër të vëmendjes tani pasi së pari kritikoi klubin dhe më pas shkaktoi një penallti kundër Mainzit dhe doli me karton të kuq. Kahn e ka këshilluar Lehmanin që t’i japë fund dhe t’i varë këpucët në gozhdë. “Ndoshta është më mirë që ta lërë futbollin”, ka thënë Kahn për gazetën “Az”. “Nuk i dihet se çfarë mund t’i ndodhë më tej. Ai është portier i mirë, por si e mendojnë drejtuesit e klubit të tij? Drejtuesit e Shtutgartit duhet ta kuptojnë nëse Lehman po i ndihmon apo po i dëmton më shumë.”