24 dhjetor 2009

Niveli teknik dhe individual nuk i mjafton Juventusit

Viti 2009 po mbyllet me Juven në krizë të thellë, një sfidë e ashpër për drejtuesit bardhezinj, që ka nevojë për sqarim. Eshtë e lehtë, në këto raste, të kërkosh një spastrim të pastër, spastrim ekzekutiv, përfshirë dhe trajnerin, duke mos përjashtuar edhe lojtarët, të vjetër e të rinj. Ranieri duket fituesi i madh i ditës, sepse, pavarësisht se njihet si njeri i ideve dhe përvojave, u largua pa shkak nga drejtimi i Juventusit. Ndaj edhe po u mëshohet shumë zgjedhjeve të merkatos, si problemi kryesor në tërësi i bardhezinjve. Dhe kjo është e qartë në njëfarë mase, pasi ligjërimi i këtij Juventusi ka themele mjaft të diskutueshme. Për shembull: Juventusi kërkoi D’Agostinon, pastaj mori Felipe Melon. Si të thotë një dirigjent i një trupe muzikore se ka nevojë për një pianist, ndërkohë që i sjellin një baterist. Me këtë premisë, e domosdoshme në një analizë objektive, sipas mendimit tim, dhe të mjaft specialistëve të futbollit italian, gabimi i fillimsezonit është i thjeshtë për t’u hetuar; drejtuesit e klubit të njohur torinez kanë bërë “krim”, që kanë shpenzuar rreth 60 milionë euro për blerjet e reja (Felipe Melo, Diego, Kanavaro, Groso, Kaseres). Jo pak si numër blerjesh, por pa efektivitetin e pritshëm, për një ekip që ka arritur vitin e kaluar në vendin e dytë edhe pa to. I pafalshëm eliminimi para kohe nga “Championsi”, që në 1/16 finale, çka tregon se asgjë nuk është kuptuar në periudhën shtator‑dhjetor. Nëse dikush mendonte ndryshe në gusht, tashmë ka për detyrë të marrë analizat. Melo, është e vërtetë, konsiderohej një afrim i goditur, po të kemi parasysh se përbën pikë referimi si mesfushor qendror tek Brazili. Diego, deri tani, rezulton i panjohshëm, krahasuar me “mostrën” e tij tek Verder Bremeni. Kanavaro, gjithashtu, duhet të ketë ngritur pikëpyetje e shqetësime edhe për Lipin në kombëtare, sepse papritmas është bërë pikë referimi, në kuptimin negativ, për kundërshtarët, jo më për shokët e skuadrës. Dhe si është e mundur që të gjithë këta lojtarë kanë harruar ta bëjnë si duhet punën e tyre në gjashtë muaj? Se si është e mundur, mjafton për të dhënë një shembull, që Amauri, nga 11 gola në sezonin e shkuar, tani ka kaluar në mjerim, vetëm katër rrjeta. Po Del Piero ku është, që ka mbërritur deri në Krishtlindje pa realizuar asnjë qëllim? Ose, siç thonë të gjithë, çka ngjarë me mbrojtjen bardhezi, që është bërë si një sitë e shpuar gjithandej? Probleme këto jo tërësisht rezultat i ndonjë teknike hutuese të trajnerit, ndaj e keqja s’mund të kërkohet vetëm te Ferrara. Fundja, Ferrara tha pikërisht këtë në fillim të sezonit: kam nevojë për një D’Agostino, ndërkohë që drejtuesit i sollën Melon. Ajo që duket sheshit, Juves i mungon në kupolën drejtuese i ashtuquajturi në Itali “njeriu i futbollit”. Juve, me njëzet ndeshje të tjera për t’i luajtur në kampionat, rrezikon të zhytet gjithnjë e më shumë, megjithatë masën e parë për ta zgjidhur krizën e ka marrë tashmë, duke telefonuar Betegën. Tashmë i njohur si “njeri i futbollit”. Sigurisht, Betega nuk do të bëjë trajningun e skuadrës, por ama do të jetë një lundërtar i sprovuar, në pritje të Lipit. Pavarësisht se problemi kryesor i Juventusit nuk mendoj se ka të bëjë me menaxhimin e skemave të lojës sesa të lojtarëve.

Pas Juventusit, le të fokusohemi pak edhe tek java e 17-të e Serisë A, ku protagoniste ishte dëbora, që mbuloi pjesën më të madhe të fushave e stadiumeve, duke penguar e anuluar plot katër ndeshje të radhës. Të kundërtën e dëborës, që zbardhi fushat e blerta, bëri Katania e Mihajloviçit, duke e nxirë akoma më shumë situatën e vështirë të Juventusit. Fitorja 2‑1 e Katanias flet qartë për vazhdimësinë e periudhës së vështirë, që karakterizoi Juventusin e Ferrarës në këtë fund të vitit. Përballë njëra-tjetrës ishin kreu dhe fundi i renditjes, për më tepër në Torino. Dallimi i nivelit teknik dhe aftësive individuale në favor të juventinëve nuk i ndihmoi ato përballë unitetit dhe zgjuarësisë së treguar për 90 minuta nga lojtarët e Katanias. Merita ishte e trajnerit të ri Mihajloviç, që kishte organizuar një Katania të fortë në fazën difensive dhe të shpejtë në rinisjet e aksioneve të fazës ofensive. Ai që nuk gabon dy herë radhazi, siç edhe kishte deklaruar gjatë javës, është Interi i Mourinjos, që të dielën në mbrëmje fitoi 1‑0 ndaj Lacios se Ballardinit. Lojës së saktë në posedimin e topit dhe të aksioneve ofensive nga lacialët i mungoi vetëm finalizimi në portën e Interit. Nga ana tjetër, ishte siguria dhe maturia e repartit të mbrojtjes së Interit, që bëri dallimin në këtë ndeshje. Vitin 2009 e mbyll më së miri edhe Roma e Ranierit, me fitoren e vështirë 2‑0 ndaj Parmës. Një fitore e arritur përmes një loje jo shumë të saktë, nga të dyja palët. Ishte superioriteti i vlerave teknike e individuale faktori që ndikoi në fitoren e romanistëve. Nga ana tjetër, humbja nuk i zbeh aspak meritat dhe sukseset e Parmës, të arritura këtë vit në Serinë A. Me të vërtetë një skuadër në progres, këto dy vitet e fundit. Në progres, me rezultatet pozitive, vazhdon edhe Napoli, që nën drejtimin e Mazarrit arriti rezultatin e dhjetë pozitiv, duke mundur 2‑0 në ndeshjen e radhës Kievon e Di Karlos. Merita e trajnerit të napoletanëve, që ka arritur t’i dhurojë skuadrës së vet identitetin dhe karakaterin e duhur, përmes së cilave po interpretojnë më së miri edhe bagazhin e tyre tekniko‑taktik. Ndryshime rrënjësore drejt përmirësimit shihen edhe te Palermo, pas zëvendësimit të Zengës me Delio Rosin. Pavarësisht se me rezultat të ngushtë, 1‑0, Palermo e meritoi fitoren ndaj Sienës së Malezanit dhe u ngjit edhe tri pikë të tjera në renditje, duke merituar vendin e shtatë, menjëherë pas Napolit. Këtë vit e mbylli me fitore e plot shpresa edhe skuadra e Livornos. Fitorja 3‑1 ndaj Sampdorias së Del Nerit ishte dhe festa e fundit të vitit për livornezët, të cilët me tri pikët e fituara i largohen përherë e më shumë zonës së ftohtë të renditjes. Në rezultatin përfundimtar, pa dashur të zbeh vlerat dhe meritat e Livornos, ndikoi edhe mungesa e saktësisë dhe e konkretizimit në lojë nga Sampdoria.