18 dhjetor 2009

Nervozohet Camoranesi

Mauro Camoranesi mund të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit. Mesfushori i Juventusit ka pësuar një lëndim serioz në kofshë në humbjen 3-1 nga Bari të shtunën dhe ka theksuar se stafi mjekësor i klubit ka bërë gabim që i shkaktoi zgjerimin e lëndimit.

“Nuk jam specialist, por kam kontaktuar disa mjekë nga Argjentina që janë profesionistë në këtë lëmi dhe ata më kanë thënë se në raste të tilla duhet të thithet gjaku për të reduktuar mavijosjen”, tha menaxheri i Camoranesit, Sergio Fortunato, për ueb faqen calciomercato.it.

“Kjo nuk është bërë. Ata janë munduar ta bëjnë 10 orë më vonë, por ishte shumë vonë, pasi deri atëherë gjaku ishte koaguluar. Këmba e Mauros ishte e mavijosur, pasi ata është dashur t’ia largojnë gjakun”, shtoi ai. Ende nuk është e qartë nëse Camoranesi duhet të operohet dhe kur do të kthehet në fushë. “Mauro është fizikisht shumë i fortë.

Por, ai është i dëshpëruar dhe i zemëruar. Mendoj se do të kthehet në mars, por është vështirë që tani të bëjmë parashikime. Megjithatë, ai nuk është i brengosur për Kampionatin botëror, ngase deri atëherë do të jetë gati”, përfundoi Fortunato.