18 dhjetor 2009

Milan - Man United, Inter-Chelsea

Jose Mourinho do të rikthehet në Stamford Bridge me Interin, ndërsa të njëjtën gjë do të bëjë edhe David Beckham me Milanin në Old Trafford.

Shorti i Ligës së Kampionëve i hedhur sot në në Nyon të Zvicrës ka nxjerrë disa takime mjaft interesante. Ndeshja më e rëndësishme në mes të 16 ekipeve që janë pjesë e 1/8-tës së finales së garës evropiane pritet të jetë ajo mes dy ish-kampionëve, Milanit dhe Manchester United.

Atë që kërkoi David Beckham do të bëhet edhe realitet, mesfushori anglez do të rikthehet në Old Trafford në cilësinë e kundërshtarit, kësaj here me Milanin.

Një ‘finale’ tjetër e hershme do të jetë edhe takimi në mes të dy ekipeve që aq shumë e dëshirojnë finalen e vërtetë të kësaj gare, Chelseat dhe Interit. Jose Mourinho do të rikthehet në Stamford Bridge po ashtu si kundërshtar, ku do të ketë përballë një ish-rival të tij, ish-trajnerin e Milanit, Carlo Ancelotti.

Te ish-skuadra e tij do të rikthehet edhe Aliaksandr Hleb me Stuttgartin, që do të ketë përballë kampionin në fuqi të kësaj gare, Barcelonën.

Real Madridi është caktuar të luajë me Lyonin, ku Karim Benzema po ashtu do të vizitojë ish-stadiumin e tij.

Në vazhdim lista e takimeve të fazës së parë eliminatore të garës evropiane:

VfB Stuttgart – Barcelona
Olympiakos – Bordeaux
Inter – Chelsea
Bayern Munich - Fiorentina
CSKA Moscow – Sevilla
Lyon - Real Madrid
Porto – Arsenal
Milan - Manchester United

Ndeshjet e rundit të parë do të zhvillohen më 16-17 shkurt dhe 23-24 të po këtij muaji, ndërsa ndeshjet e kthimit më 9-10 dhe 16-17 mars.