11 dhjetor 2009

Mesi-Ronaldo, numra të frikshëm

Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo. Nuk ka asnjë dyshim se viti futbollistik 2009 është dominuar plotësisht nga këta dy futbollistë. Argjentinasi është shfaqur në nivele të jashtëzakonshme, ndërsa portugezi është përgjigjur po në të njëjtën mënyrë. Me meritë, Leo nuk e ka vënë asnjëherë në dyshim triumfin në "Topin e Artë", ku u rendit përpara Kristiano Ronaldos, duke përmbysur klasifikimin e vitit 2008: dueli pritet të vazhdojë edhe në sezonet në vazhdim, duke qenë se i pari është vetëm 22 vjeç, ndërsa i dyti 24.Gjatë këtij viti kalendarik, i cili do të mbyllet pas tri javëve, Mesi i ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm: La Ligan, Champions League, Kupën e Mbretit, Superkupën e Europës dhe Superkupën e Spanjës. Nëse kavilja do t‘ia lejojë, javën e ardhshme ai mund të fitojë me Barçën edhe trofeun e gjashtë, botërorin për klube. Deri më tani, "pleshti" ka luajtur 62 ndeshje (52 me skuadrën katalane dhe 10 me përfaqësuesen e Argjentinës), e me golin e shënuar të mërkurën në portën e Dinamos së Kievit ai arriti kuotën e 40 rrjetave (37 me "blaugranat" dhe 3 me skuadrën e Maradonës). Ai ka shënuar mesatarisht 0.64 gola në ndeshje. Më mbrapa, por jo shumë i distancuar, është Kristiano Ronaldo. Për shkak të dëmtimit 2-mujor, mesfushori portugez ka luajtur më pak ndeshje, por ka mesatare të përafërta. Në total ai ka zhvilluar 48 ndeshje (41 me Mançester Junajtid dhe Realin, 7 me Kombëtaren portugeze), ku ka realizuar 28 gola, vetëm një nën urdhrat e Karlos Kueiroz. Edhe në këtë rast, mesatarja është mbresëlënëse: 0.58 gola për ndeshje. Me "djajtë e kuq" ai ka fituar titullin në Premiership dhe Kupën e Ligës, humbi në finalen e Champions-it përballë Barçës dhe gjysmëfinalen e FA Cup kundër Evertonit (nuk luante në atë ndeshje).Deri në mbylljen e vitit 2009, Mesi ka ende shpresa që të luajë në derbin e së shtunës me Espanjolin dhe dy sfida në Abu Dhabi, në botërorin për klube. Gjithsesi, dëmtimi në kavilje, pas një ndërhyrje të ashpër të Shevçenkos, ka bërë që sulmuesi të jetë në dyshim. Në krahun tjetër, Ronaldos i mbetet vetëm ndeshja me Saragozën. Kjo, sepse portugezi do të mungojë në transfertën e Valencias, për shkak të kartonit të kuq që mori kundër Almerias. Me gjithë kohën e paktë në dispozicion për t‘u ambientuar, ai ka qenë një lojtar kyç për Realin, me 12 gola në 11 ndeshje (mesatare 1.09).