23 dhjetor 2009

Mes Melos e Ferrarës, njëri është i tepërt

Drejtuesit bardhezinj po mendojnë për të shitur brazilianin e blerë verën e kaluar për 25 milionë euro

Kriza e Juventusit përfshin shumë emra, por në veçanti Felipe Melo është gjithmonë në qendër të kritikave. Braziliani në ndeshjen kundër Katanias ka bërë paraqitjen e tij më zhgënjyese qëkur ka veshur fanellën e Juventusit. I zëvendësuar pas 32 minutash, duket se marrëdhënia e tij me Ferrarën është prishur përfundimsht.

Dhe klubi bardhezi është vënë në kërkim të zëvendësuesve të tij të mundshëm. Mosmarrëveshja midis brazilianit dhe teknikut e ka origjinën në fundin e ndeshjes së zhvilluar kundër Bordosë, që i ka kushtuar Melos qëndrimin në tribunë në transfertën pasardhëse në Kaljari. Melo, pikërisht në fundin e atij takimi, ka thënë para gazetarëve se nuk i pëlqente pozicioni, që tekniku kishte zgjedhur për të, sepse nuk ndihej mirë në fushën e lojës: “Ferrara më kërkon gjëra që unë nuk di t’i bëj”, ka thënë ai.

Probleme që duhen kërkuar në qëndrimin dhe në rendimentin e lojtarit, që duket se është zënë në kurth në një “kafaz” taktik, që e pengon të japë maksimumin e tij. Regjizor apo mesfushor? Kjo është dilema e Ferrarës, që është munduar ta aktivizojë në të dyja mënyrat, duke u përpjekur ta transformojë në një regjizor që nuk është, pa marrë rezultate të mira. Të dielën e kaluar dështimi ka qenë i dukshëm, me atë zëvendësim që ka ardhur pas gjysëm ore nga fillimi i takimit të radhës të humbur kundër Katanias së vendit të fundit.

Ndërsa, tani flitet se Melo është afër largimit. Juventusi po kërkon një skuadër për lojtarin, veçanërisht në Spanjë dhe në Angli, ku nuk mungon një interesim i Arsenalit. Eshtë e pamundur të imagjinohet se klubi bardhezi mund të rekuperojë 25 milionë eurot, që i ka paguar Fiorentinës, verën e kaluar, e cila duke falënderuar ka marrë në këmbim Markionin dhe Zanetin, por ndoshta, gjithmonë nëse çmimi i lojtarit nuk bie më shumë, drejtuesit juventinë mund të arrijnë të marrin një shifër të përafërt me 20 milionë euro.