03 dhjetor 2009

Mendon për Europë

Lorik Cana kërkon që Sunderland të marrë mësim nga kryesuesi i Premierligës, Chelsea, për ta gjetur balancimin e ekipit, i cili do ta shpinte drejt pjesëmarrjes në garat europiane sezonin e ardhshëm.
Pas fitores ndaj Arsenal, “Macet e Zeza” u mposhtën në Wigan, por Lorik Cana kërkon nga ekipi i tij të arrijë suksese edhe në ndeshjet si mysafir, për t’u ngritur edhe më shumë në tabelën e klasifikimit në Premierligë.
Sunderland ka mundësi ta harrojë humbjen në Wigan (1:0), kur do ta presë Fulhamin në shtëpi të dielën.
“Unë kam dëgjuar diçka interesante që ka thënë Carlo Ancelotti të hënën. Ai tha se gjëja më e rëndësishme për ekipin është balanci dhe mendoj se kjo është e saktë. Te Sunderland neve na mungon ekuilibri në ndeshjet si mysafirë. Ne kishim probleme të balancoheshim në ndeshjes si mysafirë”, theksoi Cana për të përditshmen angleze Telegraph.
“Çka është balanci? Ne duhet të punojmë shumë. Kur je në momente të mira dhe në sulm, duhet ta bësh atë në mënyrën më të mirë që mundesh. Por, kur je në momente të vështira të ndeshjes, duhet të punosh së bashku dhe të punosh fort në fazën ofanzive si është më së miri. Chelsea është shembull i mirë që Sunderland duhet ta ndjekë. Duhet të jemi në nivel të njëjtë me Chelsean, duhet ta ndjekim rrugën e tyre, kjo do të ishte e mirë”, vazhdoi futbollisti kosovar.
Sipas Canës, Sunderland ka kualitet, ka futbollistë të mirë dhe ka pozitë të mirë në tabelë. Por, ai kërkon pikë më shumë në udhëtim për t’u përmirësuar edhe më tepër. Cana premton që do ta përdorë gjithë përvojën e tij që kishte marrë te Marseille për të fituar brenda dhe jashtë shtëpisë.
“Ne te Marseille ishim të mirë në shtëpi dhe jashtë. Këtë do të mundohem ta sjell edhe këtu. Nuk është liga e njëjtë, por me Marseille kam humbur vetëm 2-3 herë jashtë. Këtu është më ndryshe. Duhet ta gjejmë zgjidhjen, në mënyrë që ta kemi mentalitetin e njëjtë edhe kur luajmë si mysafirë.
Ish kapiteni i Marseilles ka folur edhe për favoritin e tij për ta fituar Premierligën dhe Ligën e Kampionëve. “Për mua, Chelsea është favorit për t’u bërë kampion në Angli, pse jo edhe për ta fituar Ligën e Kampionëve. Mendoj se ekipi i vetëm që është më i mirë se Barcelona është Chelsea”, përfundoi mesfushori shqiptar.
Aktualisht, Sunderland gjendet në pozitën e tetë në Premierligë, shumë afër zonës së ekipeve që shkojnë në garat europiane sezonin e ardhshëm.