02 dhjetor 2009

Materaci: Për ne Juvja është si Livorno

Mbrojtësi i Interit e ka cilësuar ndeshjen me bardhezinjtë si të zakonshme
Duke filluar nga dita e hënë Interi ka vendosur të qëndrojë në heshtje për shtyp, duke përjashtuar Mourinjon, por me sa duket askush nuk ka lajmëruar për këtë Materacin që, ndërsa ndodhet në Londër për një çështje bamirësie, ka folur për ndeshjen e ardhshme të kampionatit.
Mbrojtësi nuk ka folur vetëm për çështjen Baloteli, duke e ftuar shokun e ri të skuadrës që të ketë më shumë respekt për zgjedhjet e trajnerit, por natyrisht ka komentuar edhe çështje të tjera të kampionatit, duke filluar nga takimi i së shtunës së ardhshme, që është ‘injoruar’ në këtë mënyrë nga Materaci: “Për ne Juvja është si Livorno, një ndeshje si gjithë të tjerat.
Objektivi jonë është të fitojmë gjithmonë…”. Më pas, ai, ka folur edhe për Hoze Mourinjon, duke përgënjeshtruar zërat që flisnin për pakënaqësi të mundshme të lojtarit për aktivizimin e pakët: “Interi është shumë i rëndësishëm për mua. Më ka bërë të fitoj shumë dhe më trajton si të isha një njeri i familjes, që nga presidenti deri tek tifozi i fundit. Mënyra se si më trajtojnë tifozët kompenson edhe zhgënjimin që provoj kur nuk luaj. Mourinjo? Eshtë gjithçka.
Trajner, baba, një njeri që bën shaka, që qesh, që krijon një marrëdhënie të shkëlqyer. Këtë ua thotë një lojtar, që nuk luan. Zakonisht për lojtarët që nuk luajnë shpesh trajneri nuk kupton asgjë. Kam folur me të para se të nënshkruaja kontratën deri në vitin 2012, dhe e di shumë mirë se cili është pozicioni im. Kur dikush të bën të ndihesh i rëndësishëm edhe kur nuk luan, atëherë do të thotë se ka diçka të veçantë
Dhe Mourinjo është i veçantë”. Në fund, kampioni i botës, ka shprehur edhe krenarinë e tij për faktin që luan tek një skuadër si ajo zikaltër: “Të jesh një lojtar i Interit do të thotë ta ndiesh veten kampion i Italisë në çdo ndeshje, kampion dhe zot i Italisë. Po e tregojmë, shpresoj të vazhdojmë kështu për shumë vite të tjerë”, ka thënë Materaci.
Heshtja për shtyp
Mourinjo ua mbyll “gojën” zikaltërve
Heshtje shtypi deri në ndeshjen me Juventusin. Ky është vendimi i marrë nga Interi, madje nga Mourinjo. Deri të shtunën e ardhshme, dita kur do të zhvillohet supersfida e Torinos, vetëm trajneri portugez do të jetë i autorizuar të japë deklarata për shtyp. Me pak fjalë, Mou kërkon që lojtarët e tij të jenë të përqëndruar në maksimum, por ndoshta preferon edhe të evitojë që pyetje të mundshme, për shembull në lidhje me çështjen Baloteli, të mund të krijojnë tensione të tjera.
Ndërkohë në Angli janë të sigurtë: sezonin e ardhshëm Hoze Mourinjo do të rikthehet në Premier Ligë. Sipas shtypit anglez, tekniku i Interit mund të kalojë tek Mançester Junajtid, Siti ose Liverpuli. Në fakt, e përditshmja “Daily Mail”, ka shkruar në faqet e saj se “Mou nuk është aspak i kënaqur në Itali”.
Mesfushori argjentinas
Kambiaso: Do të jemi protagonistë edhe në Europë
“Njerëzit nuk argëtohen më sepse rrezikojmë ta mbyllim shumë shpejt edhe këtë kampionat? Ne mendojmë vetëm të argëtojmë tifozët tanë, dhe ata do të jenë shumë të kënaqur të na shikojnë gjithmonë duke fituar”. Esteban Kambiaso, është i drejtpërdrejtë si gjithmonë. Por mbetet fakti që Interi, dominues në Itali, zhgënjen në Europë. “Jemi një pikë larg kualifikimit, nuk është një situatë dramatike.
Nëse flitet për një Inter me dy fytyra pak është faji jonë, por pak është edhe faji i gjërave që thuhen rreth Interit. E përsëris, ne jemi në një pozicion të mirë sepse na mjafton një pikë ose një fitore në fushën tonë kundër Rubin Kazanit për të kaluar në fazën e dytë të Championsit. Dhe në atë pikë gjërat do të ndryshojnë dhe edhe ne do të mund të themi fjalën tonë në Europë”, ka thënë mesfushori argjentinas.
Derbi i Italisë
Asnjë vend bosh në “Olimpiko” të Torinos
Pavarësisht diferencës prej 8 pikësh që kanë dy skuadrat në renditje, sfida që do të zhvillohet midis Juventusit dhe Interit mbetet shumë e rëndësishme për të dy ekipet. Një përballje që shkon përtej klasifikimit dhe objektivave të dy skuadrave, dhe që ka një rëndësi akoma më të madhe për tifozët bardhezi. Dhe në fakt të shtunën në mbrëmje stadiumi “Olimpiko” i Torinos nuk do të ketë asnjë vend bosh.
“Shitja e biletave për ndeshjen që do të zhvillohet të shtunën e ardhshme në “Olimpiko” ka zgjatur vetëm pak orë, - ka informuar klubi i Juventusit në internet. - Me sportelet që janë hapur sot (dje) në mëngjes, në pak orë nuk ka mbetur më asnjë biletë për asnjë sektor të stadiumit për përballjen Juventus-Inter, që, si gjithmonë, do të ketë një publik të denjë për këtë sfidë”.