07 dhjetor 2009

Markizio: Ky është Juventusi i vërtetë

Protagonisti i fitores ndaj Interit tregon “sekretin” e rilindjes: Tani të fitojmë ndaj Bajernit
Klaudio Markizio do ta kujtojë gjatë mbrëmjen e së shtunës në “Olimpiko”, ku shënoi golin e fitores në supersfidën kundër Interit: “Jam i kënaqur për të gjitha sakrificat që kam bërë, - shpjegon mesfushori bardhezi, - kur u përqafuam u thashë shokëve të prisnim, sepse duhej të merrja frymë, isha i lodhur. Po punoj shumë në aspektin fizik, arrita të zhbllokohen dhe jam i kënaqur, por tani duhet të mendojmë për Bajernin. Në nivelin e dëshirës patëm një progres në krahasim me ndeshjen në Kaljari, treguam se jemi Juventusi i vërtetë. Por duhet të vazhdojmë kështu, sepse në vitet e fundit na ka munguar vazhdimësia dhe Juvja e vërtetë kjo është”.Më pas Markizio bën edhe një analizë teknike: “Mesfusha në formë rombi? Zgjedhjet i takojnë trajnerit t’i bëjë, skuadra është e përbërë nga kampionë të mëdhenj dhe jemi gati të përshtatemi me çdo situatë loje”. Një përshtatje që e ka bërë mesfushorin e ri bardhezi edhe më të pjekur në aspektin familjar: “Sa më ka ndryshuar të bërit baba? Familja ime më ka ndihmuar gjithnjë, Davide (i biri) është një emocion i veçantë dhe të kthehesh në shtëpi të marrësh në krahë një fëmijë, është një gjë shumë e rëndësishme”. Markizio ka në krah një tatuazh me mbishkrimin: “Impossible is nothing” (”Asgjë s’është e pamundur”). Ai rrëfen: “Përpiqem gjithnjë të arrij objektiva gjithnjë e më të mëdhenj dhe ky tatuazh ripasqyron qënien time”. Deklaratat e radhës janë të gjitha për ndeshjen vendimtare që e pret Juven nesër në sfidën e Ligës së Kampioneve kundër Bajernit të Mynihut: “I vështirësuam gjërat vetë në Bordo, ndaj duhet të bëjmë një paraqitje të madhe, përveç se të marrim me çdo kusht fitoren. Duhet ta kalojmë turin dhe të konfirmojmë veten tonë”.Klaudio e ka çuar Juven në -5 pikë nga Interi dhe ka bërë të rihapet kampionati. Për Markizion ka qenë edhe goli i dytë i sezonit. Të parin e ka realizuar kundër Livornos, një tjetër parabël që ka patur vlerën e tri pikëve. Golin e tij të parë në Serinë A e ka shënuar më 25 janar, kundër Fiorentinës, kampionatin e kaluar. Atëherë, për një natë, Juventusi ka kapur Interin në krye të renditjes. Sepse mesfushori italian ka qenë lojtari i ndeshjes. “Njeriu i arritjes së madhe”, ka thënë Xhon Elkan. Markizio është edhe njeriu i fatit. Një i përzgjedhur. Një lojtar që, kur ndeshja ka mbaruar, vrapon në fushë dhe përqafon Balotelin.E ka shoqërurar në fushë para fillimit të ndeshjes. “Sepse Mario, shoku im, ndonjëherë gabon. Njerëzit e kanë vërshëllyer edhe sot (të shtunën). Ata gabojnë, edhe ai, por për mua mbetet një shok i ngushtë”. Këto kanë qenë fjalët e Markizios, i cili më pas ka shtuar se vrapimi sapo ka filluar: “Po punoj shumë për të rekuperuar formën më të mirë fizike. Në pjesën e dytë kam arritur të zhbllokohem dhe të vrapoj pak më shumë. Jam i kënaqur për golin, për fitoren kundër Interit, për tifozët tanë. Tani nuk ka ndryshuar asgjë, duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, ka thënë Markizio.