11 dhjetor 2009

Markizio i jep zemër ekipit: Të ringrihemi

Do të hiqja dorë nga goli i fitores ndaj Interit, me mundësinë për të riluajtur me Bajernin e Mynihut në Champions”. Klaudio Markizio ka “fytyrën” e Juventusit që kërkon të ringrihet. Jashtë Championsit, me shumë keqardhje, mesfushori bardhezi që gjunjëzoi Interin të shtunën e shkuar në kampionat, nuk ka dyshime: “Do të jepja gjithçka për të riluajtur kundër gjermanëve. Në këto momente jemi të gjithë të inatosur, por edhe të ndërgjegjshëm që mund të reagohet vetëm në një mënyrë, pra, në fushë”.
Mendja tani kthehet te kampionati: “Duhet të fitojmë në dy ndeshjet e mbetura për këtë vit kundër Barit e Katanias dhe të jemi në një renditje të mirë në Krishtlindje, - vazhdon Markizio, - dhe pastaj do të shfrytëzojmë pushimin për t’u rikarikuar. Që prej shkurtit do të mendojmë për Ligën e Europës, duke e ditur që nuk do të jetë e lehtë, sepse ka shumë skuadra të shkëlqyera”.