19 dhjetor 2009

Mancini trajneri i ri i Manchester Cityt

Manchester City ka shkarkuar menaxherin e ekipit, Mark Hughes, dhe ka caktuar në vend të tij Roberto Mancinin, me të cilin ka nënshkruar kontratë trevjeçare e gjysmë.
Brian Kidd do të jetë shoqërues i Mancinit si ndihmëstrajner, me të gjithë stafin tjetër të Hughes që po ashtu do të largohet.
“Duke u bazuar në fillimin e këtij sezoni, me investime të dukshme në lojtarë dhe me infrastrukturë në vend, konsensusi në mes të bordit dhe stafit menaxhues ishte që të arrihen qëllimet e caktuara për sezonin 2009-2010. Por dy fitore në 11 ndeshje në Ligën Premier, nuk është në përputhje me qëllimet që jemi pajtuar dhe të cilat i kemi caktuar. Kjo është një deklaratë ca e vështirë. Dëshirojmë të falënderojmë Mark Hughes dhe t’i dëshirojmë atij çdo të mirë në karrierë”, ka thënë kryetari i bordit të klubit Khaldoon Al Mubarak.
Rreth menaxherit të ri të ekipit, Roberto Mancinit, drejtuesit e klubit anglez kanë vetëm fjalë të mira.
“Roberto është një menaxher me përvojë me një rekord të dëshmuar të trofeve dhe kampionateve. Ajo çfarë është tërësisht e qartë është se Roberto beson se Manchester City ka potencial të arrijë nivelet më të larta dhe se kjo është në aftësitë e tij për ta bërë. Unë shpresoj se fansat tonë të shkëlqyeshëm do të na bashkohen për të mirëpritur Roberton në klub”, ka përfunduar Mubarak.