22 dhjetor 2009

Mancini synon tituj

Menaxheri i ri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, synon të përfundojë pritjen 33 vjeçare për një titull të rëndësishëm, pas marrjes së drejtimit të ekipit nga Eastlands.
45 vjeçari e udhëhoqi Interin drejt tre titujve të njëpasnjëshëm në Serie A, duke përfunduar pritjen e gjatë të Nerazzurëve, ndërsa të hënën gjatë prezantimit të tij në konferencë për shtyp ka thënë: “Shpresoj që historia të përsëritet. Manchester United është i ngjashëm me Milanin për pasionin ndaj futbollit. Jam krenar që kam marr këtë detyrë sepse City është klub i mirë me futbollistë të mirë”. “Objektivi im është që këtë sezon të përfundojmë në pozitën e katërt. Ky është objektivi im dhe mendoj se mund ta realizojmë. Vitin tjetër do të luftojmë për të fituar Premierligën”, shtoi ai.
Mark Hughes ishte shkarkuar pas 18 muajve në drejtim të ekipit, por Mancini pret të kalojë karrierë më të gjatë në Manchester. Mancini ka nënshkruar kontratë për tri vjet e gjysmë me klubin nga Premierliga.
“Mendoj dhe shpresoj të mbetem këtu për shumë vite dhe të fitoj shumë tituj. City ka përkrahje të madhe dhe shpresoj që t’i shpërblejmë ata. Detyra ime është të punoj shumë çdo ditë që të përmirësohemi. Kjo është e tëra”. vazhdoi ai. Mancini ka zhvilluar stërvitjen e tij të parë me futbollistët e Cityt, të cilët, sipas drejtorit ekzekutiv Garry Cook, nuk janë të rebeluar ndaj vendimit për shkarkimin e Hughes, siç ishte spekuluar ditë më parë.
“U kam thënë atyre të kenë besim në vetvete dhe ata e dinë se janë futbollistë të mirë dhe mund të fitojmë, nëse punojmë shumë”, theksoi strategu italian i cili, i pyetur rreth angazhimit të përforcimeve në janar, shtoi “Dua të shoh gjendjen e ekipit gjatë kësaj jave e pastaj do të vendosim”. Mancini ka shprehur simpati për Hughes, por tani shikon përpara.
“Më vjen keq për të, por ne si trajnerë kur e fillojmë punën, kjo është diçka e mundshme. Unë kam qëndruar katër vjet në Itali dhe kam fituar shtatë tituj. Në fund të sezonit jam shkarkuar. Kjo është detyra jonë. Nuk dua të kthehem prapa”, përfundoi ai. Trofeu i fundit i fituar nga Manchester City ishte në League Cup më 1976, ndërsa titulli i fundit i tyre në ligë ishte më 1968.