08 dhjetor 2009

Mançesteri, pa mbrojtës drej Volfsburgut!

Evra është mbrojtësi i vetëm në dispozicion të Fergusonit për transfertën në Gjermani
Mançester Junajtid ka nevojë për barazimin kundër kampionëve të Gjermanisë, Volfsburgut, që të sigurojë kualifikimin për më tej. Skuadra e parë e Aleks Fergusonit është e sigurt që do të kalojë në raundin tjetër dhe madje mund të mundet dhe të zërë vendin e parë në grup, nëse CSKA-ja e mund Beshiktashin në Moskë. Nëse Mançester Junajtid mundet dhe CSKA-ja fiton, Junajtid, Volfsburgu dhe klubi rus do të kenë nga 10 pikë, por Junajtid do të zërë vendin e parë sepse ka bilanc më të mirë në ndeshje të drejtpërdrejta, ndërkohë që Volfsburgu shkon më tej si skuadra e vendit të dytë. Volfsburgu edhe mund ta fitojë grupin nëse mund Junajtid dhe CSKA-ja nuk fiton në Stamboll.
Klubi gjerman nuk ka pësuar humbje në dy ndeshjet e shkuara, ndërkohë që Junajtid shkon në këtë ndeshje me shumë mungesa. Mbrojtësi Nemanja Vidiç nuk do të luajë sepse ka grip, duke ia vështirësuar më shumë Fergusonit repartin mbrojtës pasi Ues Braun u dëmtua në fitoren 4-0 të së shtunës kundër Uest Hemit. I vetmi mbrojtës titullar është Patris Evra, pasi Rio Ferdinand, Xhohn O’Shi, Xhoni Evans, Rafael dhe Fabio da Silva janë të dëmtuar. Fergusoni e ka bërë të qartë se do të fusë në lojë Majkëll Kerrikun në qendër të mbrojtjes, ndërsa Darren Fleçër duket se e ka të sigurt një vend në mbrojtje.
Përveç problemeve në mbrojtje, edhe portieri Edvin van der Sar do të mungojë. Fergusoni nuk do të aktivizojë as Uejn Runin dhe Dimitar Berbatovin, duke bërë që Majkll Uen dhe Deni Uellbek të jenë sulmuesit e vetëm të skuadrës prej 19 lojtarësh që do të shkojë në Gjermani. Skuadra përfshin lojtarë që luajnë rrallë, si Oliver Zhill, djali i shefit ekzekutiv Devid, Magnus Eikrem, Kameron Stjuart, Mat Xhejms dhe Oliver Norvud. “Ky është ndër grupet më të vështira”, ka thënë Pol Skols i Junajtid. “Na u desh të luanim në Moskë, që ishte shumë e vështirë, por e njëjta gjë ishte edhe në Turqi. Por ne ai dolëm t’i fitonim të dyja ndeshjet.
Ne duam të fitojmë dhe të zëmë vendin e parë në grup. Nuk e di se a do të na bjerë një short më i mirë në fazën që vjen, nëse dalim të parët, por deri tani janë kualifikuar skuadra të mira dhe ka shumë të tjera që nuk janë kualifikuar ende”, ka shtuar Skols. Volfsburgu vjen pas një tjetër zhgënjimi në Bundesligë, pasi barazoi 2-2 të shtunën kundër Frajburgut pasi humbi disa raste të pastra. “Nuk do të kemi aq shumë raste kundër Junajtid,”, ka thënë trajneri Armin Veh. “Duhet të jemi më të kujdesshëm, sepse janë shumë të fortë. Jemi shumë pranë kualifikimit tani.” Sulmuesi Grafite kthehet në lojë pas pezullimit. Partneri i tij në sulm, boshnjaku Edin Dzeko, gjuajti 15 herë kundër Frajburgut, por nuk shënoi asnjë gol.