21 dhjetor 2009

Maldini: Milani nuk më ka kërkuar më

Ish-kapiteni i kuqezinjve ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj drejtuesve të klubit milanez

Midis Maldinit dhe Milanit marrëdhëniet nuk janë shumë të mira. Pas lamtumirës së Paolos, kapitenit të përjetshëm nga futbolli i luajtur, diçka nuk ka shkuar ashtu siç duhej. Marrëdhënia me tifozët ultras të Milanit është përkeqësuar, por edhe ajo me Galianin nuk ka qenë perfekte. Kështu secili ka zgjedhur të ndjekë rrugën e tij. Dhe kjo gjë po i kushton Paolo Maldinit një largim nga bota e futbollit.

Çfarë bën sot Paolo Maldini? “Eshtë pyetja që më bëjnë të gjithë, sepse pas 25 vitesh karrierë është normale që të bëhet kjo pyetje, - ka thënë Maldini. - Përgjigja është e thjeshtë. Bëj babain, kujdesem për bizneset e mia dhe marr pak kohë të lirë për veten, për shokët e mi dhe për gjërat që nuk kam arritur kurrë të bëj gjatë karrierës time. Ka qenë një zgjedhje ajo për të bërë një pushim të gjatë dhe më pas për t’u shkëputur nga bota, që më ka bërë të ndihem shumë mirë. Dhe më pas kam dashur vetëm të pushoj, sepse kanë qenë 25 vite shumë intensivë”.

- Jeni akoma i lodhur nga 25 vitet e karrierës suaj?

- Jo. Në sezonin e fundit kam qenë shumë i lodhur, sidomos në aspektin psikologjik. Pasi jam kthyer nga pushimet e gjata, kam përjetuar momente të ndryshme, duke e përgatitur vetë programin e ditës dhe kjo më ka ndihmuar të kem një mënyrë jetese të ndryshme dhe të harroj atë që ka qenë jeta ime në vitet e fundit.

- Ka patur një moment ku keni menduar se mund të vazhdonit akoma të luanit?

- Jo, sinqerisht jo. Nuk kam asnjë lloj pengu, duke patur parasysh se jam tërhequr në moshën 41-vjeçare dhe në momentin e duhur. Dhe nuk jam tunduar asnjëherë nga ftesat e shumta, që më janë bërë nga ana e miqve dhe shokëve, edhe pse në aspektin fizik ndihesha shumë mirë, por ka qenë dhe duhej të ishte sezoni im i fundit.

- Ju merreni me boks, para thesit që godisni shikoni fytyrën e dikujt në veçanti?

- Jo, edhe pse ditët e fundit nuk kanë qenë shumë të qeta e kam mbyllur karrierën time në mënyrë normale, sepse kishte ardhur momenti për t’i dhënë fund dhe nga jeta sportive kam marrë gjithçka. Nuk kam asnjë keqardhje.

- Sa do të zgjasë largimi nga bota e futbollit?

- Këtë nuk e di. Nuk varet vetëm nga unë. Nuk pres asgjë edhe pse gjithmonë e kam përgatitur veten për këtë pa pritur ndihmën e askujt. Kam bizneset e mia, puna e përditshme nuk më mungon. Në të ardhmen do të shohim. Oferta nga bota e futbollit më kanë ardhur shumë. Pas dhjetë ditësh kam folur me ata të Çelsit.

- Mund të na zbuloni disa oferta të tjera?

- Ka ekzistuar edhe një altrnativë për të drejtuar një ekip kombëtar që do të shkojë në Botëror dhe që donte të më kishte mua dhe një tjetër person si trajner, ajo e Çelsit dhe më pas kam patur disa kontakte edhe me federatën e futbollit. I kam refuzuar të gjitha ofertat sepse doja të qëndroja një vit larg kësaj bote.

- Pse Maldini nuk ka një detyrë si drejtues i Milanit?

- Në fillim sepse nuk më është ofruar asgjë, kjo është e vërteta. Më pas ndoshta zgjedhja ime për t’u larguar, të paktën fizikisht, nga ambienti ku kam jetuar për shumë vite, ndoshta ka ndikuar tek mungesa e një oferte nga ana e klubit. Natyrisht largimi im ka qenë vetëm fizik. Me Leonardon dhe shumë lojtarë të skuadrës flas shpesh. Kam shkuar t’i takoj vetëm një herë, para ndeshjes me Realin e Madridit, sepse doja ta bëja këtë, jo se nuk kam patur dëshirë ta bëja në të kaluarën. Ata më ftojnë gjithmonë dhe duhet të them se nga ky këndvështrim kanë qenë gjithmonë shumë të sjellshëm me mua.

- E prisje një ofertë nga ana e klubit?

- Jo, pikërisht për këtë arsye bëj një jetesë të pavarur dhe kam mundësinë në këtë moment të bëj edhe pa një detyrë si drejtues i klubit, edhe për atë që kam fituar dhe që kam ndërtuar në jetën time jashtë futbollit.

- Çfarë i mungon Milanit për t’u kthyer ai i kohërave të arta?

- Besoj se mungon pak rinovim dhe programim për të ardhmen. Më shumë është menduar vetëm për të tashmen, mbi të gjitha pas Champions Ligës së fituar në 2007-ën. Ishim mbi çatinë e Europës dhe më pas mbi atë të botës, por e dinim të gjithë, dhe këtë ia kemi thënë njëri-tjetrit disa herë, se nuk ishim skuadra më e fortë në botë. Nëse donim që ajo periudhë të zgjaste, ai ka qenë momenti për të investuar, natyrisht duke mbajtur lojtarët më të fortë që kishim. Në atë rast ndoshta investimi do të kishte qenë më i vogël nga sa mund të mendohej.

- Një Top të Artë për karrierën do ta pranoje apo do t’iu bezdiste për faktin se nuk e keni fituar më parë?

- Jo, është një gjë që e kam pranuar. Kam fituar aq shumë sa nuk mund të kem pengje për një gjë që është një vlerësim i rëndësishëm, por që mbetet një trofe personal. Në jetën time futbollistike kam kërkuar gjithmonë të mendoj për skuadrën. Një fitore me skuadrën tënde nuk mund të krahasohet kurrë me një vlerësim personal.

- Ka diçka që iu ka munguar në karrierën tuaj?

- Nëse flitet për fitore, me Milanin kam marrë shumë të tilla, ndërsa me Italinë këto kanë munguar, pavarësisht 4 botërorëve të luajtur. Ky mund të jetë një peng. Në nivelin e lojës, kam menduar se në shumë raste, mbi të gjitha kur kam qenë i ri dhe kur luaja si mbrojtës krahu, nuk kam treguar plotësisht atë që dija të bëja me topin. Shumë herë jam kufizuar, duke u përpjekur të përmbaja atë që ishte instikti im i natyrshëm për të dribluar kundërshtarin dhe për të goditur portën.


“Pasaporta”

Ka debutuar 16 vjeç

Paolo Maldini ka lindur më 26 qershor 1968 në Milano dhe falë babait Çezare, ka filluar të luajë me të rinjtë e Milanit, duke debutuar në Serinë A më 20 janar 1985 në Udineze ? Milan. Në të njëjtin stadium, 24 vjet ëm pas, arrin objektivin e 900 ndeshjeve gjithsej me klubin kuqezi në Udineze‑Milan 2‑1 më 16 maj. Karriera e tij është e gjitha e zhvilluar te Milani, por ka marrë pjesë edhe në katër botërorë radhazi me kombëtaren italiane nga 1990 deri më 2002, duke arritur një vend të dytë dhe të tretë. Është i martuar që nga dhjetori i 1994‑ës meish‑modele venezueliane Adriana Fosa, 40 vjeç, me të cilën ka dy fëmijë, Kristianin 12 vjeç dhe Danielin 7 vjeç.

Drejtuesi i Milanit ka kritikuar impiantet sportive

Galiani: Ndeshjet e shtyra? Faji i stadiumeve

Bora ka bërë të dalë në pah një nga problemet e Serisë A, që është vjetërsia e stadiumeve. Shtyrja e ndeshjeve Bolonja-Atalanta dhe Fiorentina-Milan ka shkaktuar pakënaqësinë e Adriano Galianit, i cili ka thënë: “Ndeshja me Fiorentinën nuk është shtyrë për shkak të ngricës, por për vjetërsinë e stadiumeve italiane”. Shifrat i japin të drejtë drejtuesit kuqezi, ndërsa i ftohti gjatë këtyre ditëve ka goditur gjithë Europën. Pse në Itali gjërat shkojnë ndryshe? “Kam qenë edhe unë në stadiumin e Fiorentinës dhe kam parë fushën. Ishte e mrekullueshme, sepse ka një sistem ngrohjeje dhe ngrica nuk kishte lënë gjurmë, - ka thënë Galiani.

- Por shkallët e stadiumit të Firences, ashtu si ato të pothuajse gjithë stadiumeve të Italisë, janë të zbuluara, me përjashtim të tribunave. Pasojat janë të pashmangshme sepse ngrica mbulon shkallët dhe autoritetet nuk duan që ndeshja të zhvillohet për shkak se nuk duan të rrezikojnë. Ka qenë një vendim i pashmangshëm”. Me të cilin numri dy i Milanit ka qenë dakord: “Ndeshja me dyer të mbyllura do të kishte qenë një çmenduri. Njerëzit kanë qenë përreth stadiumit dhe donin të hynin, çfarë duhej t’u thuhej se ndeshja do të luhet, por ju do të qëndroni jashtë. Nuk do të kishte qenë e drejtë dhe nuk mund të luhej një ditë më mbrapa, duke parë kushtet atmosferike”, ka thënë Galiani.

Fantazisti do të kishte qëndruar në stol kundër Fiorentinës

Bora shpëton Ronaldinjon nga polemikat

Ndonjëherë rikthehen. Çfarë? Fantazmat e argëtimit dhe qëndrimit deri në orët e vona të natës në diskotekë. Gjithmonë një temë e nxehtë kur në mes është Ronaldinjo. Edhe një herë tjetër është rrezikuar të krijohej një situatë e papëlqyer në shtëpinë e Milanit, por dëbora ka shmangur gjithçka. Braziliani, në fakt, ka qenë pjesë e formacionit titullar, që do të përballej me Fiorentinën, ndërkohë që në mesditën e së shtunës kishin dalë zëra, sipas të cilëve, Dinjo do ta kishte filluar nga stoli ndeshjen me skuadrën toskane. Arsyet zyrtare flisnin për një lodhje të lehtë muskulare pas një jave stërvitjesh. Ndërsa, supozohet se e vërteta ka patur lidhje me festimet e Dinjos në javën e 110-vjetorit të Milanit.

Sipas shtypit italian, lojtari kuqezi, është parë në diskotekë në Milano natën e së martës, së mërkurës dhe së enjtes. Kjo, duket se ka ndikuar edhe tek paraqitja e tij jo e mirë në stërvitje. Kështu, lodhja muskulare ka qenë justifikimi i zakonshëm për të mbrojtur lojtarin (siç ka ndodhur edhe para ndeshjes Lacio-Milan), por më pas ka ardhur bora që ka shmangur të gjitha polemikat, që mund të krijoheshin. Ndërkohë, në datën 28 të këtij muaji kuqezinjtë do të rikthehen të punojnë në Milanelo. Me këtë rast, pas pushimeve në Brazil, Dinjo do të jetë më aktiv se kurrë.