14 dhjetor 2009

Liverpuli në “krizë”, Arsenali për titull!

“Topçinjtë” fitojnë me përmbysje në “Anfild”, duke iu afruar kreut, ndërsa Liverpuli mbetet i shtati
Arsenali shënoi dy gola në pjesën e dytë duke fituar 2-1 kundër Liverpulit në “Anfield” duke ruajtur kështu hapin me kryesuesit e Premier Ligës, Çelsin dhe Mançester Junajtid. “Topçinjtë” u gjendën në disavantazh në minutën e 41-të të ndeshjes pas golit të Dirk Kajtit për vendasit, por mbrojtësi i Liverpulit, Glen Xhonson, barazon rezultatin pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë kur shënon autogol.
Arshavin shënon golin e fitores për Arsenalin tetë minuta më vonë duke mos i dhënë asnjë shans portierit Pepe Reina. Kjo fitore e çoi Arsenalin në kuotën e 31 pikëve, tri më pak se Mançester Junajtid dhe gjashtë pikë më pak se Çelsi.
Por dy skuadrat kryesuese kanë luajtur nga një ndeshje më shumë. Liverpuli, nënkampioni i vjetshëm, mbetet në vendin e shtatë me 24 pikë dhe me gjashtë humbje në 16 ndeshje. Por Liverpuli mund ta kishte thellur me lehtësi epërsinë para barazimit të miqve, pasi Fernando Torres gjuajti lehtë në zonë kur ishte i pambuluar dhe portieri Almunia bëri një pritje vendimtare. Edhe goli i parë i Liverpulit erdhi pas një gabimi të Almunias, i cili nuk grushton si duhet topin dhe Kajt përfiton duke shënuar golin e tij të parë në tre muaj në “Anfield”.
Ai e kontrolloi topin mirë me gjoks dhe e dërgoi në rrjetë. Por Arsenali nisi të luante më mirë në pjesën e dytë dhe të bënte presion, duke e barazuar përqindjen e zotërimit të topit. Barazimi erdhi pasi kapiteni i Arsenalit, Çesk Fabregas, pason për Samir Nasrin në të djathtë. Xhimi Karrager nuk arrin të spastrojë krosin e dhënë nga francezi, topi merr një devijim të lehtë para se të prekë Xhonsonin dhe të shkojë në rrjetë.
Arshavini, që shënoi katër gola në “Anfield” sezonin që shkoi në barazimin 4-4, ishte lojtari që e fundosi sërish Liverpulin. Ai e mori topin në hyrje të zonës dhe kishte përpara një mbrojtës që nuk e linte të shihte portën. Por rusi bën një lëvizje të shpejtë dhe lirohet prej tij dhe gjuan në mes të këmbëve të mbrojtësit. Reina nuk pati kohë as të lëvizte këmbët pasi topi kaloi me shpejtësi dhe u preh në rrjetë.
Fitorja e Arsenalit është e veçantë sepse Mançesteri i vendit të dytë humbi 1-0 nga Aston Vila, kurse Çelsi barazoi 3-3 me Evertonin. “Topçinjtë” kanë shanse që të fitojnë titullin për herë të parë që prej vitit 2004, edhe pse Arshavin u dëmtua në fund të ndeshjes dhe mund t’u bashkohet Robin van Persit dhe Niklas Bendnterit, që të dy të dëmtuar.