03 dhjetor 2009

Lipi, pro grupit dhe kundër “fenomenëve”

Trajneri i kombëtares bën të ditur se s’do të grumbullojë në Botëror lojtarë “të veçantë apo “zonja të para”
Skuadrat fituese duhet të jenë të formuara nga lojtarë që kanë vlerën e punës e të përshtatjes dhe që vihen në shërbim nga të tjerët dhe jo nga ata që ndihen “fenomenë” apo “zonja të para”. Fjalë dhe “muzikë” e Marçelo Lipit, i cili i ka idetë e qarta gjashtë muaj përpara fillimit të “Botërorit 2010″ në Afrikën e Jugut qershorin që vjen. “Skuadrat e përbëra nga lojtarë të talentuar, por që besojnë se të gjithë duhet të jenë në dispozicion të tyre, nuk do të kenë asnjëherë vazhdimësi, - vazhdon trajneri i kombëtares së Italisë, i cili mbron futbollin italian. - Nuk është në krizë, edhe pse mund të duket i tillë”.
Trajneri “axurr” duhet të zgjidhë akoma dyshimet mbi grumbullimin e lojtarëve në Botëror: “Të vjetrit” na kanë ndihmuar shumë, ndërsa “të rinjtë” janë mjaft mirë, ndaj jam optimist. Duhet ta plotësoj akoma grupin, por nuk do të jetë një detyrë e vështirë”. Në Afrikën e Jugut Italia duhet të mbrojë titullin kampion, që fitoi pikërisht katër vjet më parë në Gjermani në finalen e Berlinit: “Do të jetë e vështirë, sepse në Itali ka arritur ta fitojë dy herë vetëm Vitorio Poco, - shpjegon Lipi.
- Skuadrat më të frikshme janë Brazili, Argjentina, Gjermania, Franca e Holanda. Por nëse do të vijmë në Botëror me një gjendje të mirë psiko-fizike, nuk duhet të kemi frikë nga asnjë”. Më tej një mesazh për presidentin Sep Blater: “Nuk është e bukur që presidenti i FIFA-s nuk i vlerësoi personalisht kampionët e Botës, por nuk e di nëse ka pasur motive të veçanta apo jo”.
E ardhmja e Lipit duket e ngjyrosur bardhezi, por trajneri “axurr” përgënjeshtron se ka ndërmarrë ndonjë vendim të tillë: “Pas Botërorit gjithçka është shumë e hapur dhe pavarësisht se flitet shumë, në mendjen time janë vetëm gjashtë muajt e ardhshëm punë me kombëtaren dhe pastaj se çfarë do të ndodhë nuk e di”.
Lipi më pas ka mbrojtur futbollin italian nga akuzat e fundit: “Nuk jemi të vendosur keq, sepse kemi talente të shkëlqyera që po lindin dhe rriten në skuadra të ndryshme të rinjsh. Ekipet tona vlerësohen në Europë, jemi kampionë bote dhe kemi kampionatin më të fortë të Serisë B në botë”. Mbi përfshirjen e futbollistëve të huaj në Serinë A, trajneri i Italisë kujton: “Fytyra e vërtetë e futbollit në një vend është kombëtarja, - thekson Lipi, - nuk janë skuadrat dhe klubet.
Flitet shumë për Interin, por në Angli është edhe më keq, mjafton të mendosh që LIverpuli është në duart e pronarëve amerikanë dhe drejtohet nga një trajner spanjoll, ndërsa Çelsi ka një pronar të ri rus dhe drejtohet nga një trajneri italian. Në Premier Ligë vetëm 38% e futbollistëve janë anglezë, ndërsa në Serinë A, 60% italianë”.